Kryetari i PSD-së në Kosovë, Dardan Molliqaj është arrestuar nga policia pas protestave që anëtarë të kësaj force politike zhvilluan ndaj kryetares së Dhomave të Specializuara.

Bashkë me të u arrestuan edhe 4 anëtarë të tjerë, Teutë Rrusta, Qëndrim Sahiti, Agron Kabashi edhe Zgjim Hyseni.

Disa prej tyre u futen brenda në sallën ku Trendafilova po mbante konferencë dhe i ndërprenë fjalimin me fishkëllima, me arsyetimin se ajo “është përfaqësuese e një gjykate të padrejtë që në asnjë moment nuk mund të sjellë drejtësi”.

Pas arrestimeve, ka reaguar PSD duke kërkuar lirimin e kryetarit dhe anëtarëve të tjerë.

“Sot, përgjatë raportimit të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, aktivistë të PSD-së, Lisjan Perolli dhe Bardh Ahmeti, zhvilluan aksion simbolik për të penguar rilegjitimimin e Gjykatës Speciale në misionin e saj për të tjetërsuar luftën çlirimtare të UÇK-së. Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë jashtëzakonisht të madhe ndaj aktivistëve duke i lënduar dhe i arrestuar ata. Gjykata Speciale është e padrejtë, prandaj ajo nuk mund të sjellë drejtësi. Si e tillë, nuk mund të lejojmë assesi që të rilegjimitohet në qetësi teksa tjetërson historinë tonë”, thuhet në reagimin e PSD-së. /tvklan.al