Sejko paralajmëron pasojat e pandemisë në ekonomi 

Situata e pandemisë së Covid-19 do të rrisë nivelin e kredive të këqija në sistemin bankar, pavarësisht masës së shtyrjes së pagesës së kësteve përmes një vendimi të përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë. Aktualisht kreditë me probleme u ulën nga 25% në 2015-n në 8.2% për muajin Mars, por gjatë raportimit vjetor në Kuvendin e Shqipërisë guvernatori Gent Sejko tha se pandemia do të mbyllë biznese dhe vende pune, çka e bën të pashmangshëm rritjen e huave që nuk paguhen.

Guvernatori i siguroi deputetët se sistemi bankar do ta përballojë situatën, ndërsa tha se shtyrja e dytë e pagesës së kësteve do të jetë e fundit, pasi tashmë bankat kanë gati rregulloret për të ristrukturuar linjat e kredisë që paraqesin probleme.

Guvernatori i bankës qendrore tha se politika e Bankës së Shqipërisë për lehtësimin sasior, që realizon blerjen e bonove të thesarit të qeverisë në mënyrë që të furnizojë ekzekutivin me likuiditet do të zbatohet nëse dështon emetimi i eurobondit nga ana e qeverisë.

Guvernatori u tregua pozitiv për një marrëveshje të re për daljen nga kriza me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por nënvizoi se ky është një atribut që i takon qeverisë shqiptare. Ai tha se rritja e borxhit publik është e pashmangshme në këto momente, ndërsa njoftoi se këtë të hënë është bërë efektive edhe garancia sovrane e dytë e cila jep kredi për kapital pune për biznesin.

Tv Klan