Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Kryeministri Meta ka shkuar sot në selinë e Partisë Demokristiane një prej aleateve të Partisë Demokratike për ta ftuar zyrtarisht atë për pjesmarrjen në grupin e monitorimit. Është hera e parë që një Kryeministër shqiptar viziton një parti opozitare.

Angazhimi i opozitës në luftën kundër korrupsionit, ju drejtua Meta kryesisë demokristiane, është një detyrë kombëtare e jo politike. Unë nuk dua, vijoi ai, që ju të bëheni fasadë e Qeverisë, por të jeni oponentë reale të saj, të jeni pjesë e suksesit dhe jo e dështimit. Sipas Metës, opozita duhet të përfshihet në këtë proces që kur të vijë në pushtet të mos marrë një kështjellë të rrënuar ashtu siç kërkojnë disa individë të saj.

Kryeministri Ilir Meta:- “Pavarësisht nga roli juaj si opozitë, unë mendoj se nuk cënohet roli as i partisë suaj dhe i asnjë force politike në opozitë, kur bëhet fjala për të bashkëpunuar për çështjë që s’i takojnë vetëm qeverisë, por që janë preokupime dhe shqetësim i gjithë shoqërisë sonë. Kjo ka të bëjë me tranzicionin mjaft të vështirë në të cilën ka kaluar vendi”.

Më tej Meta ka sqaruar hapat e mëtejshëm të procesit të luftës kundër kontrabandës. Që sot tha ai, funksionon grupi teknik i kryesuar nga Ministri i Shtetit, ku si të ftuara partitë opozitare mund të marrin pjesë dhe të paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre. Sipas Metes, merr apo nuk merr pjesë PD, disa nga propozimet e saj do të përfshihen në proces.

Kryetari demokristian Zef Bushati, pasi ka shprehur vullnetin e kësaj partie për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit, kërkoi që Qeveria të marrë vendim për të drejtën e fjalës së opozitës në komision. Jo vetëm unë, deklaroi Meta, por edhe Miqtë e Shqipërisë e kanë garantuar një gjë të tillë. Ka ardhur koha, tha Meta, që në shqiptarët të komunikojmë vetë me njëri-tjetrin pa ndërmjetësinë e të huajve./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego