Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Ftohtësia e kësaj dite dimri ka ndikuar edhe në kontaktin e parë dypalësh mes socialistëve dhe aleancistëve, të përfaqësuar nga kryetari Nano dhe presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka. Në takimin prej 60 min Fatos Nano ja ka bërë të qartë Neritan Cekës se nuk i intereson vetëm pjesmarrja e tij fizike në takimin e koalicionit më 28 Shkurt, por edhe pranimi nga aleanca i koncepteve të konventës së bashkëpunimit.

Fatos Nano, kryetar i PS:- “Në takimin e datës 28 Shkurt në nivelin e kryetarëve të partive, Neritan Ceka të përfaqesoj partinë e tij, për të vazhduar më tej hapat që institucionalizojnë edhe në dokumenta të përbashkëta bashkëpunimin e partive në tryezën e koalicionit, krahas parlamentit dhe ekzekutivit. Mbi këtë bazë do të krijoheshin të gjitha mundësitë për të kapërcyer humbjen e kohës deri sotme, sensibilitetet e krijuara për shkak të deklaratave publike fare divergjente të PAD me PS dhe me tryezen e kolaicionit qeverisës. Në qoftë se deri në datën 28 i thashë Cekës, nuk do të kemi përgjigje të qarta për gadishmërinë e tyre, që të kapërcejmë diferencat konceptuale që janë shfaqur, unë do të detyrohem të jap në forumet drejtuese të PS përgjigjen negative për gadishmerinë e tyre dhe të kërkoj prej tyre reagimin e mëtejshëm”.

Ndaj pyetjes së Tv Klan nëse kanë kostatuar pengesë institucionale për investimet amerikane në rastin e njohur të Telekomit në Shqipëri, kryetari Nano reagoi:

Fatos Nano, kryetar i PS:- “Nuk kam asnjë informacion që do të justifikonte një përgjigje pozitive për këtë pyëtje”.

Ndërkohë presidenti i PAD Neritan Ceka shfaqi objeksione për kompetencat e tryezës së koalicionit dhe drejtimit të saj me rotacion.

Neritan Ceka, kryetar i PAD:- “Unë nuk kam pasur me Fatos Nanon asnjë konflikt personal por për shkak të politikës partiake. Natyrisht ka nje pakënaqësi në PAD për kufizimin e vazhdushëm të vendeve të kësaj partie në qeveriseje, pavarësisht nga roli shumë i rëndësishem që ka luajtur PAD qoftë në momentet e vendosjes së rendit, të hartimit të Kushtetutës, të përballimit të krizes së Kosovës si dhe në nivele të tjera të pushtetit lokal”.

Deri më 28 Shkurt krerëve të partive aleate u mbeten disa ditë kohë për të përmirësuar marrëdhëniet, ndërkohë që nesër sekretarët e përgjithshëm të këtyre partive do të debatojnë për konventën e bashkëpunimit të koalicionit./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame