Kishin pajisur për test të shpejtë 483 qytetarë në Durrës

Pesë persona kanë rënë në prangat e Policisë së Durrësit pasi i pajisnin qytetarët me teste të shpejta Covid për udhëtime jashtë shtetit.

Policia bën të ditur se ka arrestuar Eva Harunin, Elio Agollin, Ervin Çelën, Anxhela Spahiun dhe Aida Pislin, ndërsa ka shpallur në kërkim edhe një shtetas tjetër nga Tirana.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një laborator në lagjen nr.4, në Durrës, duke përfituar nga situata e pandemisë “Covid-19”, kanë pajisur me test “Rapid”, 483 shtetas të cilët do udhëtonin në drejtim të Italisë, pa qenë të licencuar nga institucionet përkatëse.

Gjithashtu veprimtaria e tyre zhvillohej në kundërshtim edhe me urdhrin për miratimin e procedurës së kryerjes së testimeve antiCovid.

Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale: “Kontrabanda me mallrat e tjera”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrim”. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tv Klan