Partia Demokratike zgjodhi kryesinë e re të kohës Basha, por ajo që bie në sy është mungesa e emrave të PD-së historike të drejtuar nga Sali Berisha.

Në ekipin prej 15 anëtarësh të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar dhe 12 të tjerëve që futen automatikisht, vihet re mungesa e figurave që spikatën me kontributin e tyre që prej themelimit të kësaj force politike, por edhe shumë prej emrave të koopuara nga Sali Berisha në Janar të vitit 2005, e që i sollën demokratëve fitoren në zgjedhjet parlamentare të po atij viti.

Arsyeja e këtij rikonfigurimi të ri në kryesinë e kohës Basha e ka zanafillën që kur shumë prej eksponentëve të kësaj force politike u lanë jashtë listës të kandidatëve për deputetë nga Lulzim Basha.

Vendet që dikur mbanin në kryesinë e Berishës  ish-nënkryetarja Jozefina Topalli,  themeluesit e kësaj force politike Arben Imami e Genc Ruli, ish-ministrat Ridvan Bode, Majlinda Bregu e Sokol Olldashi apo ish-nënkryetari Astrit Patozi tashmë do të mbahen nga emra si Dhurata Çupi, Kreshnik Çollaku, Izmira Ulqinaku, Enno Bozdo, Oriola Pampuri, Endri Hasa apo Grida Duma.

Nuk dihet se mbi çfarë baze e ka bërë përzgjedhjen e kandidaturave që i paraqiti për votim Këshillit kombëtar Lulzim Basha, por në PD historike të Berishës,  selektimi i atyre që ngjiteshin në forumin që merrte vendimet më të rëndësishme politike do të duhet të kalonte më parë tre elementë; atë të kontributeve në parti, shpërndarjen gjeografike dhe përkatësinë fetare.

Tv Klan