Sako: E lënduar nga reagimi pas deklaratës sime

“Ky ishte një tërmet i nivelit shkatërrimtar, por të jemi të kënaqur dhe me 50 viktima për arsye sepse në raste të tjera kanë qenë mbi 1000 viktima”.

Ishte kjo deklaratë e kryetares së Bashkisë së Durrësit Valbona Sako që shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale duke e konsideruar të papranueshme dhe të pamenduar për situatën ku po kalon vendi. Për këtë shkak, e zgjedhura në 30 Qershor ka dhënë dorëheqjen. Ajo e njoftoi vendimin e saj nëpërmjet rrjeteve sociale.

“E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës. Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve”, shkruante ajo.

Detyrat e kryebashkiaiakut të Durrësit i kanë kaluar tashmë nënkryetarit Zhyljen Varfaj. Vendimi u mor në një mbledhje të Këshillit Bashkiak. Valbona Sako qëndroi vetëm 5 muaj në këtë detyrë. Kështu Durrësi u shtohet Shkodrës dhe Vorës pa kryetarë bashkie të cilët u larguan për shkak të problemeve me dekriminalizmin.

Tv Klan