Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, shpalli fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke e quajtur këtë proces “referendum”.

“Ky referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media të dielën mbrëma.

Ai u zotua se qeveria e tij nuk do t’i hakmerret askujt, por do të kërkojë përgjegjësi.

Lideri i LVV-së, Kurti tha se fitorja në zgjedhjet e 14 shkurtit “është vetëm mundësia për të filluar ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë dhe shumë angazhim sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.

Kurti falënderoi oponentët e tij politikë për garë fer dhe tha se ato duhet të reformohen. I pyetur për mundësinë e koalicioneve, sipas tij, rezultati zgjedhor sugjeron se ata mund të krijojnë vetë qeverinë.

“Ky rezultat tani ne na e konfirmon se nuk kemi nevojë, e nuk kemi interes për ata që duhet të reformohen në opozitë”, theksoi Kurti.

Kurti la të kuptohet se prioriteti i tij nuk do të jetë krijimi i një ekipi negociator për dialogun me Serbinë, duke shtuar se dialogu me Serbinë është prioriteti i “gjashtë apo i shtatë” i qytetarëve.

“Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, tha Kurti.

Ndërkaq, Vjosa Osmani, e cila ka garuar për postin e presidentes në kuadër të listës së Vetëvendosjes, tha se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit.

“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.

Sipas rezultateve preliminare, me 86 për qind të votave të numëruar, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47,91 për qind apo mbi 324 mijë vota.

Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas rezultateve preliminare radhitet e treta, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa i përket koalicioneve të mundshme qeverisëse./REL