Policia, larg kujtdo që nuk i shërben interesit publik

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka përshëndetur operacionin antidrogë ku u arrestuan 19 persona, mes tyre edhe 2 efektivë policie. Në një reagim në Twitter, Lleshaj ndalet pikërisht tek arrestimi i 2 punonjësve, duke theksuar se ndarja e policisë nga ata që nuk meritojnë të shërbejnë në radhët e saj do të vijojë.

“Policia e Shtetit, SHÇBA dhe Prokuroria finalizuan sot një operacion të rëndësishëm, në sajë të të cilit, krahas të tjerëve, u arrestuan edhe dy punonjës policie për përfshirje në veprimtari kriminale. Procesi i ndarjes së Policisë nga ata që nuk e meritojnë nderin e të shërbyerit në radhët e saj do të vijojë me rigorozitet të plotë. Policia është jo vetëm imazhi i drejtuesve të saj, por edhe i vetë shoqërisë. Si e tillë ajo duhet dhe do të jetë larg kujtdo që nuk i shërben me nder dhe angazhim interesit publik. Përgëzime për këtë operacion të suksesshëm për Policinë, SHÇBA dhe Prokurorinë!”, shkruan Ministri i Brendshëm.

Policia e Shtetit njoftoi këtë të mërkurë arrestimin e 19 personave në një operacion të koduar “Shënmëri 2020”. Operacioni është iniciuar nga policia e Kukësit për goditjen e një grupi të kultivimit dhe trafikut të drogës. Të arrestuarit janë nga Kukësi, Lezha, Puka dhe Gjirokastra ndërsa 3 persona janë shpallur në kërkim. Në pranga janë vënë edhe 2 punonjës të policisë së Kukësit të akuzuar për shpërdorim detyre, ndërsa një tjetër është pezulluar nga detyra. Hetimet nisën që në vitin 2018. Gjatë kontrolleve u ndalua një 41-vjeçar me 54 kubikë me kanabis./tvklan.al