Komisioni i Ligjeve përfshin në amnisti dhe të dënuarit nga GJKKO

Nuk do të ketë amnisti penale për zyrtarët që po gjykohen nga Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, sqaroi pas mbledhjes së qeverisë se bëhet fjalë për të dënuarit me vendim të formës së prerë nga GJKKO, që nuk do të përfitojnë falje por vetëm ulje dënimi deri në 1 vit e gjysmë.

“Kategoria e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia mbi dënimin t’ju zbresin ulje dënimi pra një vit nga dënimi të gjithë të dënuarve burra dhe një vit e gjysëm të gjithë të dënuarve gra dhe të mitur. Në kategorinë e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia, por përfitojnë ulje dënimi të përfshihet edhe kategoria e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme me vendim të formës së prerë.”  

Sipas ministrit Manja, përfshirja e kësaj kategorie të ulja e dënimit bëhet për të arritur barazinë para ligjit. Këtë e shpjegon nëpërmjet një shembulli konkret.

“I njëjti i dënuar, i dënuar për të njëjtën vepër me të njëjtën masë dënimi nga gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm i ulet një vit për burrat dhe një vit e gjysëm për gratë dhe të miturit dhe i njëjti i dënuar për të njëjtën vepër me të njëjtën masë dënimi nuk përfiton nga ulja e dënimit thjeshtë dhe vetëm sepse është dënuar nga Gjykata e Posaçme.”

Deklarimin e votës kundër të Lulzim Bashës, Manja e konsideron të padrejtë për të dënuarit, të cilët prej vitesh kanë përfituar nga amnisti.

“Nuk më vjen mirë të prishet kjo traditë. Nuk mund të kondicionohet vota për një projektligj kaq të rëndësishëm ku mbi 700 të dënuar dhe mbi 2500 në shërbim prove dhe 1500 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi presin nga kjo votë e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.”

Amnistia Penale u paraqit në Kuvend në fillim të dhjetorit të kaluar, ndërsa mungesa 84 votave e ka shtyrë atë për më shumë se 2 muaj. Të enjten është parashikuar votimi në seance plenare, ku për socialistët sfidë është sigurimi i 84 vota, në kushtet kur të gjitha grupimet e PD refuzojnë ta votojnë.

Klan News