Dëmtimi godet sërish Italinë. Kampionët në fuqi të Europës dhe kundërshtarët e parë të Shqipërisë në Euro2024 kanë humbur një tjetër element që konsiderohej alternativë për turneun e kësaj vere. Destiny Udogie do të jetë një tjetër mungesë për trajnerin Luciano Spalletti. Anësori i Tottenham ka pësuar dëmtim në pjesën sipër gjurit dhe për t’u rikuperuar duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Për të paktën tre muaj 21-vjeçari do të qëndrojë jashtë fushave, duke humbur në këtë mënyrë kampionatin europian. Dy gola dhe tre asistime është kontributi i mbrojtësit në kampionatin e Premier League si protagonist absolut me 30 ndeshje si titullar dhe paraqitje gjithmonë pozitive.

Kështu pas Berardit, anësori i Tottenhamit është i detyruar të mungojë edhe në Kampionatin e ardhshëm Evropian në Gjermani në qershor. Tani Spalletti do të duhet të studiojë alternativat në krah për ta përfshirë në listën e të grumbulluarve për turneun që mbahet nga 14 qershori deri më 14 korrik. Italia është shortuar në një grup me Shqipërinë, Spanjën dhe Kroacinë, teksa të gjithë sfidat e kampionatit Europian do të transmetohen falas dhe ekskluzivisht në TV Klan.

Klan News