Rreth 47 mijë persona me të drejtë vote janë thirrur sot të marrin pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Qendrat e votimit u hapën normalisht në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19, ndërsa qytetarët do të duhet të votojnë nëse janë dakord me shkarkimin e kryetarëve të komunave ose jo.

Por shumica e qytetarëve serbë i janë bindur thirrjes së Listës Serbe për të bojkotuar procesin zgjedhor, ndaj deri më tani raportohet një numër shumë i vogël pjesmarrësish në votime. Kështu, KQZ njoftoi se deri në mesditë numri i pjesmarrësve në votime ishte rreth 80 persona. Në Zveçan nuk ka pasur asnjë votues.

Pavarësisht pjesëmarrjes shumë të ulët në këto votime, procesi deri më tani është zhvilluar i qetë dhe pa incidentet, ndërsa vihet re një prani e ulët e forcave të rendit.

Sipas udhëzimit të qeverisë, do të duhen 50%, plus një votë, nga lista e votuesve që të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka afat që nga 30 deri 45 ditësh të shpallë zgjedhjet e reja

Referendumet e sotme në veri zhvillohen pas kërkesës së vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar për ripërsëritjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të vitit të shkuar, të cilat edhe atëherë u bojkotuan nga faktori serb.

Klan News