Boksieri shqiptar do të ndeshet sot me ukrainasin për titullin “IBF International Welterweight”

Boksieri shqiptar Florian Marku është gati për duelin kundër ukrainasit Maksim Prodan për titullin ndërkombëtar të IBF në peshën “Velter”.

Në profilin e tij në Instagram ai shkroi ”Mirëmëngjes botë! Sot është dita ime!”

Dueli për titullin do të jetë në stadiumin e “Tottenham Hotspurs”, në orën 17:00.

Por përpara se të jepej konfirmimi i përfundimit për duelin e rëndësishëm për luftëtarin shqiptar, atij iu desh që të përjetonte një incident të vogël.

Në tentativën e parë të peshimit, rezultoi 1.8 kg më i rëndë se sa rregullorja e lejonte.

Organizatorët i lanë dy orë kohë dhe në tentativën e dytë kur u peshua, ai ia doli.

Marku beson te fitorja ndaj një rivali si Prodan, i cili në 20 ndeshje ka arritur 19 fitore dhe 1 barazim.

Konferenca e tyre për shtyp ka qenë mjaft e tensionuar, ku shqiptari shtyu ukrainasin fort, ndërsa më herët gjatë përgjigjes së pyetjeve të medias, Marku u shoqërua jashtë nga sigurimi, pasi reagoi ashpër sepse u ndje i provokuar.

Interesimi është i madh për përballjen e dy boksierëve në Londër, ndërkohë që kjo do të jetë njëra nga duelet përpara ndeshjes së madhe për titull të peshave të rënda, Anthony Josuhua kundër Olexander Usyk.

Klan News