Masakra me armë në Zelandën e Re ka tejkaluar tragjedinë e Port Arthur dhe të shtënat në Orlando të Floridas.

Numri i viktimave në Chirstchurch është 49, por ai mund të rritet edhe më shumë, pasi një 28-vjeçar australian hapi zjarr në dy xhami gjatë orëve të drekës.

Terroristi, i cili në Twitter mban emrin Brenton Tarrant nga Grafton, New South Wales, e transmetoi live masakrën që po kryente brenda xhamisë Al Noor, ndërkohë që besimtarët bënin lutjet e së premtes.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern konfirmoi të premten në mbrëmje se të paktën 40 persona kishin mbetur të vrarë dhe mbi 20 të tjerë ishin plagosur rëndë, në qytetin më të madh të South Island. Pak orë më vonë numri i të vrarëve shkoi në 49.

Shumë prej viktimave u vranë në xhaminë Al Noor, ndërsa të tjerët në xhaminë Linwood Avenue. 3 prej tyre ndodheshin jashtë ambienteve të xhamisë.

Të plagosurit janë në gjendje kritike dhe ndodhen në emergjencën e spitalit të Christchurch.

Momenti i arrestimit të autorit

Kjo është një tragjedi më e rëndë se ajo e Port Arthur në Prill të 1996, ku 35 persona, përfshirë dy vajza të vogla, u qëlluan për vdekje në Tasmani. Në atë kohë, Martin Bryant, një tjetër 28-vjeçar hapi zjarr në një atraksion historik për turistët. Në atë kohë, kjo ishte masakra më e rëndë në botë, në kohë paqeje dhe më e rënda në historinë e Australisë.

John Howard, i cili kishte marrë postin e kryeministrit vetëm 8 javë më herët, e përdori masakrën për të ashpërsuar ligjin për armët, që përfshinte ndalimin e armëve automatike dhe gjysmëautomatike.

Tragjedia e Port Arthur ishte më e rënda deri në Qershor të 2016-s, kur një 29-vjeçar që punonte si roje sigurie, vrau 49 persona në një lokal nate homoseksualësh, në Orlando të Floridas. Vetëm një vit më vonë, në Tetor të 2017-s, një person hapi zjarr duke vrarë 58 persona, në festivalin e muzikës Route 91, në Las Vegas.

Sa i përket masakrave me armë, përgjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur shumë të tilla.

Ndryshe nga Zelanda e Re, ku nuk ka pasur që prej Qershorit të vitit 1994, kur David Bain, 22-vjeç, vrau babain e tij Robin, nënën Margaret, dy motrat Arawa dhe Laniet dhe vëllain Stephen.

Zelanda e Re ashpërsoi ligjet për armët pas masakrës së Aramoana, në Nëntor të 1990-s, ku pas një sherri mes fqinjëve, 13 persona u qëlluan për vdekje në një qytezë të vogël pranë Dunedin.

Që prej 1992, për të marrë një armë gjysmë automatike të stilit ushtarak në Zelandë duhet të kesh një leje të posaçme, si dhe kontroll të të shkuarës.

//tvklan.al