Në Greqi kanë mbërritur sonte dozat e para të vaksinave kundër koronavirusit Covid-19. Mediat greke raportojnë se vaksinat mbërritën me rrugë tokësore përmes pikës doganore të Promahonas.

Zv/ministri grek i Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Krizave ka mbikëqyrur të gjithë procesin. Sipas planit të qeverisë greke, deri më 31 Dhjetor pritet të mbërrijnë edhe 83.850 doza të tjera vaksinash.

Ndërsa në muajt Janar dhe Shkurt do të mbërrijnë respektivisht 429 mijë dhe 333.450 doza të tjera.

Transferimi i dozave të vaksinave nëpër depot e magazinimit të krijuara enkas, do të bëhet në fshehtësi të plotë dhe do të ketë masa të forta sigurie nga forcat policore.

Vaksinimi i popullsisë do të fillojë në datë 27 Dhjetor. Personat e parë që do të marrin dozën e vaksinës anti-covid do të jetë Presidentja dhe Kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Injektimi i dozave tek dy zyrtarët më të lartë të shtetit do të bëhet në transmetim direkt. /tvklan.al