Emisioni “Historia ime” në Tv Klan solli sot historinë e vështirë të 57-vjeçares, Hanme Suli. Nëna e 3 fëmijëve rrëfeu në studio se kur ishte 17 vjeç, familja donte ta fejonte, por ajo donte një tjetër djalë.

E nxitur nga familja, Hanmeja pranoi të fejohet, por fejesa nuk zgjati shumë sepse nuk e donte djalin dhe gjithashtu mësoi se ai kishte qenë në burg.

Ka qenë një periudhë e vështirë për të sepse opinioni në fshat e lëndonte, por gjithashtu ndjehej e kërcënuar gjithandej. Pa asnjë rrugëzgjidhje Hanmeja tentoi të vetëvritej duke u hedhur në lumin e fshatit, por fatmirësisht u ndalua nga banorët.

Mirela Milori: Sa vjeç je dhe nga vjen?

Hanme Suli: Jam 57 vjeç dhe vij nga një fshat i Lushnjës.

Mirela Milori: Në moshën 17 vjeç ka një histori tënden?

Hanme Suli: Po një i afërmi im më fejoi diku në Elbasan, nuk zgjati shumë se unë në të njëjtën kohë doja një djalë. Edhe mendova se që të largohesha nga ky djali, doja të fejohesha, por do ti që për momentin nuk ma ndjeu zemra dhe e prisha fejesën. Jo se kushedi, por ishte opinioni i tillë se djali kishte qenë në burg. Burgu atëherë ishte i vështirë, se sot bëjnë të gjithë burg, por atëherë ishte shumë i vështirë.

Mirela Milori: Djali që ti doje kishte qenë në burg?

Hanme Suli: Që më fejoi familja!

Mirela Milori: Çfarë ndodhi më pas?

Hanme Suli: E prisha fejesën pastaj. Në të njëjtën kohë kërcënohesha gjithandej.

Mirela Milori: Ke një moment jo të mirë psikologjik?

Hanme Suli: Po dhe kjo më ka zgjatur gjithë jetën.

Mirela Milori: Vendose të vetëvritesh?

Hanme Suli: Po, e vërtetë është.

Mirela Milori: Shkove tek lumi i fshatit?

Hanme Suli: Po e vërtetë.

Mirlea Milori: Aty njerëzit e morën vesh dhe të kapën apo si?

Hanme Suli: Po, më shpëtuan. Mirë ishte mos ta bëja, por nuk e di. Të isha në këtë mendje sot, nuk e bëj kurrë atë gjë.

Mirela Milori: Ishe 17 vjeç?

Hanme Suli: Po!

Mirela Milori: Po çfarë të rëndoi aq shumë?

Hanme Suli: Opinioni, kërcënimet, personin në fjalë e kisha njeriun tim, që më bëri… Si përfundim as me të dashurin nuk shkova, as për t’u fejuar nuk u fejova./tvklan.al