Colleen Hoover pati një përgjigje të prerë kur u pyet në një intervistë për betejën ligjore mes Justin Baldoni dhe Blake Lively.

Shkrimtarja e librit “It Ends With Us”, historia e të cilit u kthye në filmin ku luajnë dy aktorët, tha se është “plotësisht jashtë asaj që po ndodh” pasi rrallë gjendej në sheshxhirim, teksa shtoi se situata është “fatkeqe” dhe “zhgënjyese”.

“Duket si cirk”, tha ajo në intervistën për Elle.

Hoover theksoi se ngjarja “ka ndikuar vërtet shumë në karrierën e disa aktorëve”, duke vijuar: “Më duket e trishtë.”

Autorja ishte edhe producente ekzekutive në përshtatjen filmike. “Po përpiqem të qëndroj larg negativitetit. Kam historinë time mund të them… por nuk dua t’i jap vëmendje dhe nuk dua të ul dikë tjetër që të paraqes veten më mirë. Kështu që më mirë e injoroj dhe i lë njerëzit të mendojnë dhe thonë atë që do të thonë”, tha Hoover.

“Ndihem sikur në këtë pikë është kaq e madhe sa nuk ka asgjë që mund të them që mund të ndryshojë mendimin që kanë njerëzit, edhe pse asnjëri nuk e di të vërtetën. As unë.”

45-vjeçarja u shpreh se ndihet keq për të ëmën, e cila ka përjetuar dhunë nga bashkëshorti dhe frymëzoi historinë e librit të famshëm.

“Tani më shkakton stres traumatik thjesht duke e menduar. Ndihem keq sepse ndihem sikur ajo ka përjetuar më shumë gjëra me situatat e këtij filmi, më shumë dhimbje sesa ajo që kaloi me tim atë, thjesht duke parë shëmtinë e saj.”

Madje, ajo nuk e fshehu as sikletin lidhur me librin. “Më vjen thuajse turp që të them që e shkrova unë. Kur njerëzit më pyesin çfarë punoj, them thjesht jam shkrimtare. Mos më pyesni çfarë kam shkruar.”

Gjithsesi, ajo përmbylli se uron që gjithçka të ndryshojë me kohën.