Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, është nisur këtë të martë drejt Hagës, ku do të intervistohet nga Gjykata Speciale për Krimet e Luftës. Në një reagim në rrjetet sociale, Haradinaj thotë se është i palëkundër në vendimet e tij.

“Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën! Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë”.

Duke u ndalur tek dialogu me Serbinë, Kryeministri në largim thotë se Kosova është e gatshme të dialogojë deri në arritjen e një marrëveshjeje, por përsërit se tregu do të jepet vetëm me njohje.

“Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me SHBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje”.

“Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë!”, e mbyll reagimin e tij Haradinaj.

Ai e njoftoi dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të premten, me argumentin se dëshiron të përballet me drejtësinë si qytetar i lirë. Ndërkohë që me largimin e Haradinajt pritet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme./tvklan.al