Një ditë pas deklaratës së Kryeministrit se nuk e njeh 13 Tetorin, Presidenti Ilir Meta jo pa ironi thotë se është i gatshëm ta rishikojë dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në vjeshtë, pa tejkaluar sipas tij, një datë që është jetike për integrimin e vendit. Ai la të kuptohet se çdo përpjekje e mazhorancës për të marrë hapjen e negociatave nuk do ketë sukses pa zgjedhje të lira e të ndershme.

“Unë jam fleksibël për ta parë çështjen e 13 Tetorit meqenëse mund t’i ketë dalë ters në filxhan. Për mua ka rëndësi 17-18 Tetori, atë nuk kam fuqi as unë dhe askush ta ndryshoj sepse atë e ka BE. Kemi futur mik të fortë për ta shtyrë provimin nga Qershori, që të na japin mundësi të kalojmë në vjeshtë. Nuk e kalojmë dot këtë provim pa bërë zgjedhje gjithëpërfshirëse të standardeve demokratike. Nuk arrihet çelja e negociatave me qoka ndërkombëtare.”

Pasojë të paligjshmërisë së 30 Qershorit, sipas kreut të shtetit, janë edhe vendimet kontradiktore të gjykatave për konfirmimin e mandateve të kandidatëve fitues në zgjedhjet lokale.

Pjesë të problemit Meta thotë se janë edhe ndërkombëtarët ndaj të cilëve ka qenë i ashpër edhe më herët. Zgjidhja thotë se duhet të vijë vetëm përmes dialogut, duke nxitur një takim Rama-Basha.

Kreu i shtetit thotë se nuk i druhet aspak komisionit hetimor të ngritur nga maxhoranca për shkarkimin e tij, i vetmi shqetësim që ka thotë se është vendimi i Brukselit për hapjen e negociatave.

Tv Klan