“Në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet”

Emërimin e Artur Metanit në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Partia Demokratike e konsideron si një ditë të keqe për demokracinë dhe drejtësinë në vendin tonë.

Në një deklaratë për mediat pas miratimit të tij nga ana e Kuvendit, selia blu thotë se është bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet.

Sipas PD-së, emërimi i Metanit është partiak dhe bëhet në një nga pikat kyçe të sstemit të dreëjtësisë, atë që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë nga politika.

“Emërimi i Artur Metanit në krye të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, është një emërim partiak në një nga pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, që verifikon dhe nis hetime për të gjithë gjyqtarët, prokurorët, si dhe për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Më tej, selia blu thotë se Metani do t’i shërbejë kryeministrit Rama, duke qenë se është militant partiak dhe vëlla i deputetes dhe ish-ministres Eglantina Gjermeni.

“Vartës i Edi Ramës për vite me radhë, Artur Metani nuk do t’i shërbejë drejtësisë së pavarur. Ai është emëruar aty për të qenë  shërbëtor i Edi Ramës. Me këtë emërim Edi Rama investohet personalisht kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që gjykojnë dosjet e korrupsionit, vjedhjen e votave nga qeveria e Edi Ramës apo lidhjet e tij me krimin e organizuar. Emërimi i Artur Metanit, një militanti partiak, vartës i Ramës, vëlla i deputetes dhe ish ministres së Ramës është një tjetër zhgënjim i thellë për të gjithë shqiptarët që prisnin drejtësi të pavarur nga reforma në drejtësi e cila, me hapin e sotëm është pranë vdekjes klinik”, thuhet në deklaratë./tvklan.al