Paqartësi se ku do shkojnë plehrat e Durrësit

“Porto Romano do të mbyllet zyrtarisht. Është ky vendimi i marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Por ashtu siç duket edhe prapa krahëve të mi, kamionë të tërë vijën dhe shkarkojnë mbetjet në këtë vendgrumbullim”.

Vendimi për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve të ngurta mban datën 13 Janar të këtij viti. Në po këtë mbledhje, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi edhe lejen për ndërtimin e Eco Park në Durrës, me zhvillues Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve. Por në këtë zonë, përveç inerteve të objekteve të shembura nga tërmeti i 26 Nëntorit, po shkarkohen edhe mbetjet e qytetit të Durrësit dhe Shijakut.

“Por në Bashkinë e Durrësit thonë se në zyrat e këtij institucioni ende nuk ka mbërritur vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili mbyll zyrtarisht Porto Romanon”.

Bashkia e Durrësit nuk e ka ende të qartë se ku do të hidhen mbetjet urbane, pas mbylljes se vendgrumbullimit të Porto Romanos. Zyrtarët e saj thonë se këtë do ta përcaktojë Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.

Kjo e fundit thotë se brenda Janarit do të nisë projektin Eco Park, i cili parashikon ta riktheje këtë zonë një park me komponentë  inxhinierikë dhe atë arkitektonik. Punimet e saj priten të përfundojnë në Qershor të 2021.

Por se çfarë do të bëhet me mbetjet e Durrësit, kjo Agjenci thotë se çështja i takon Bashkisë.

Teksa dy institucionet bëjnë ping-pong me përgjegjësitë, Televizioni Klan mësoi se Sukthi dhe një zonë tjetër pranë Porto Romanos janë  dy prej stacioneve ku do të grumbullohen përkohësisht mbetjet. Më pas ato do të transportohen në një tjetër landfill, me gjasë në Tiranë.

Tv Klan