Çështja e reformës zgjedhore e rikthyer në debatin politik të ditës, duket se do të jetë pjesa kryesore e punës e parlamentit për kohën e mbetur deri në mbylljen e sesionit parlamentar. Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ka garantuar se mirëpret çdo propozim të opozitës për çështjen e reformës zgjedhore.

Sali Berisha: “Ne e mirëpresim çdo vendosmëri të opozitës për të bashkëpunuar për reformën e kodit zgjedhor, reformën e institucioneve për të cilat është rënë dakord.”

Por kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj, deklaroi se mazhoranca nuk ka një angazhim konkret për përmbushjen e reformës dhe deklaratat të eksponentëve të saj.

Valentina Leskaj: “PS ka treguar seriozitetin e saj me grupin e punës duke punuar, i kemi kërkuar mazhorancës që të përshpejtojë punën. Nuk mund të garantojmë zgjedhje të lira e të ndershme vetëm duke ndryshuar kushtetutën dhe kodin zgjedhor, në qoftë se nuk garantojmë kartat e ID dhe regjistrin.”

Nga ana tjetër partitë e vogla parlamentare janë skeptike për përmbylljen e reformës deri në fund të sesionit aktual të parlamentit.

Arjan Madhi: “Nuk mund të arrihet për 10 ditë një reformë e cila do të prekë shumë çështje të rëndësishme të kodit zgjedhor. Nëse bëhet fjalë, një ftesë hajdeni të miratojmë atë çka ne kemi përgatitur në zyrat e partive politike, atëherë kjo është tjetër gjë.”

Madje deputetit i LSI, Spartak Braho po shkon edhe më tej e cili e konsideron jo transparente mënyrën se si janë hartuar propozimet. Duke e akuzuar kreun socialist Edi Rama se po kryen aktin e tretë të tradhtisë në kurriz të opozitës.

Spartak Braho: “Është pjesë e tradhtisë edhe ky proces, nuk besojmë tek reforma e PD dhe PS. Ne jemi për një proces transparent të hapur ku të marrim pjesë tërë aktorët dhe faktorët politik.”

Por Valentina Leskaj i ka hedhur poshtë pretendimet e Brahos.

Valentina Leskaj: “Unë besoj që kjo është le të themi mashtrimi i radhës që bëhet nga përfaqësues të ndryshëm të LSI, për arsye sepse nuk asnjë pakt. Ne kemi propozuar një komision të kodit elektoral me përfaqësim të të gjitha partive politike parlamentare. Unë nuk e di se ku mund të qëndrojë ky pakt.”

Komisionit të reformës zgjedhore për gati 1 vit i skaduan 3 mandate punë, ku nuk u arrit të miratohej asnjë prej çështjeve që duhen përmirësuar në kodin zgjedhor./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama