Që prej mëngjesit të sotëm, Rusia ka nisur tërheqjen e trupave nga territori gjeorgjian. Komandanti rus Voiceslav Borisov, bëri të ditur planin i cili parashikon dërgimin e trupave drejt Rusisë. Por deri më tani janë parë autokolona të cilat largohen nga Gori dhe janë drejtuar drejt Osetisë së Jugut duke përgjysmuar kështu premtimin se mbrëmjen e sotme gjithçka do të përfundoj.

Pavarësisht se Kremlini kishte paralajmëruar një largim të plotë, duket se tërheqja nuk do të jetë e tillë. Mos qartësimi i afatit dhe tërheqja e ngadaltë kanë krijuar dyshime tek perëndimi i cili beson se Rusia nuk do të heq dorë kollaj nga integritetit territorial i Gjeorgjisë.

Në planin e Kremlinit i cili përcaktohet dhe nga rezoluta e propozuar prej tij në këshillin e sigurimit, parashikohet që një pjesë e trupave ruse do të vazhdojë të qëndrojë në Osetinë e Jugut dhe përgjatë kufirit mes dy vendeve me justifikimin e ruajtjes së qetësisë dhe sigurisë në këto dy rajone të nxehta ku nuk kanë munguar as përplasjet me separatistët. 

Përballë këtij plani Tbilisi kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve duke deklaruar hapur se nuk do të lejojë aneksimin e rajoneve nga Rusia./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj