Nëpërmjet një njoftimi të shkurtër, në faqen e Facebook, për hedhjen e shortit të Kategorisë Superiore, ditën e nesërme duket se Federata

Shqiptare e Futbollit i ka dhënë fund të gjithë aludimeve për sezonin e ri. Ishte përfolur opsioni i shtyrjes së kampionatit për shkak të vështirësive financiare të disa klubeve, por tashmë duket se gjithçka është tejkaluar, të paktën për momentin, dhe Federata do të përcaktojë nesër në orën 11:00, kalendarin e sezonit 2019-2020.

Në këtë garë do të jenë të gjitha skuadrat, përfshirë edhe Tirana, Vllaznia, Flamurtari e Luftëtari, që para pak javësh u treguan nga vetë Federata si më problematiket për pajisjen me licencë.

Gjithashtu nuk pritet të ketë zhvillime sa i përket Skënderbeut, edhe pas lënies në fuqi të dënimit nga Arbitrazhi Sportiv. Sipas të gjitha gjasave, edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, kampionati pritet të nisë sipas planit, më 24 Gusht.