Problematike situata në Spanjë, Itali e Gjermani

Vala e dytë e COVID në vendet e Bashkimit Europian që parashikohej në Shtator, duket se ka nisur që në këto ditë të fundit të Gushtit.

Të paktën për Spanjën, këtë e thonë me bindje ekspertët vendas për të përditshmen ‘El Pais’. Edhe pse të dhënat për ditët e fundjavës mungojnë, shifër tepër të lartë infektimesh ditore shënoi ky vend të premten me mbi 8 mijë raste të reja.

Shifra të larta edhe në Francë ku 24-orëshi i fundit shënoi mbi 3600 raste të reja. Rritje e vazhdueshme e infektimeve ditore edhe në Gjermani, ku janë shënuar mbi 2 mijë infektime të reja. Shifrat e larta po rikthehen edhe në Italinë e konsideruar si vatra e Europës.

Orët e fundit u shënuan mbi 1 mijë raste, ku shifrat e infektimeve u bënë 4-shifrore për të parën herë prej heqjes së masave kufizuese në Maj. Megjithatë, qeveria Conte nuk e mendon për momentin rikthimin e karantinës.

Valën e re të përhapjes po e shkakton lëvizja e turistëve në vende të ndryshme të Europës, të cilët nuk respektojnë distancimin social dhe nuk mbajnë maska në këtë sezon pushimesh, duke marrë pjesë në grumbullime masive festive.

Numri i viktimave ka arritur në mbi 800 mijë në gjithë globin, ndërsa i të prekurve mbi 23.4 milionë që prej nisjes së pandemisë.

Tv Klan