Realizohet filmi i parë mbi koronavirusin. Mban firmën e regjizorit iranian Mostafa Keshvari që jeton në Kanada, filmi që titullohet Corona.

Është një thriller psikologjik që përqëndrohet në fazën fillestare të epidemisë dhe është i ambientuar në një ashensor, ku një vajzë kineze që mund të jetë prekur nga virusi mbetet e izoluar aty së bashku me 7 persona të tjerë.

Për ‘New York Times’, regjisori thotë se filmi Corona prek temën e paragjykimit , flet për frikën dhe është një studim mbi shoqërinë aktuale dhe zgjedhjet morale.

Xhirimet e tij kanë zgjatur vetëm disa ditë në muajin Shkurt me një trupë të reduktuar prej vetëm 25 personash. Regjisori thekson se ishte fillimi i epidemisë dhe askujt prej nesh nuk mund t’i kishte shkuar në mendje që kjo gjë do të merrtë këto përmasa ne kaq pak kohë.

Dhe në mesin e kastit dhe trupës që punuan për filmin Corona, deri më tani nuk ka asnjë të infektuar me virusin. Dhe meqënëse kinematë janë të mbyllura, natyrisht filmi do të shpërndahet online.

Në një tjetër intervistë të dhënë për ‘Hollywood Reporter’, regjisori Keshvari kujton se në ditët e para koronavirusi u etiketua si virusi kinez, por tashmë, thotë ai, godet të gjithë pa diskriminim dhe gjithë raca humane duhet të bashkohet për ta mundur.

Klan Plus