Kthimi i Ligjit për Noterinë nga Presidenti i Republikës ka ngjallur reagimin e noterëve. Mimoza Sadushi, kreu i Dhomës së Noterëve thotë se për të arritur në draftin e miratuar nga parlamenti është punuar 3 vjet dhe në të janë reflektuar veç mendimeve të përfaqësueseve të kësaj Dhome dhe ato të ekspertëve ndërkombëtar, përfshirë dhe EURALIUS-it.

Një nga 3 nenet për të cilat Presidenti argumenton se ligji ka nevoje për amendime, është dhe neni 66 ku parashikohen kompetencat e zëvendësnoterit, një figurë e re që nuk ekzistonte në ligjin e vjetër. Për znj.Sadushi, vendosja e këtij pozicioni të ri, që gjithsesi është opsional dhe lihet në dëshirën e vetë noterit, për të punësuar një zëvendës, i jep zgjidhje një sërë problematikave.

Një çështje për të cilin Presidenti ka dhënë argumente se është e nevojshme ndërhyrja është dhe ai ku parashikohet mënyra e sigurimit të një noteri, i cili po ashtu është lënë opsional në ligj dhe mund të bëhet individual ose kolektiv për të gjithë përfaqësuesit e Dhomës së Noterëve. Maxhoranca ende nuk ka shprehur një qëndrim, nëse do të reflektojë mbi argumentet e Presidentit, duke amenduar ligjin, apo do ta rrëzojnë dekretin e kreut të shtetit.

Tv Klan