Të ftuar:

Mirela Milori – Gazetare

Robert Rakipllari – Gazetar

Mark Marku – Petagog

Andi Bejtja – Gazetar

Edi Rama – Kryeministri i Shqipërisë

Studentët që protestojnë, Kryeministri Edi Rama i ka ftuar edhe sot të dialogojnë. I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Rama tha se ishte dakord me të gjitha kërkesat që parashtrojnë studentët.

Kreu i qeverisë tha se e pranonte edhe rritjen e buxhetit në 5% të GDP-së, por kjo ishte e pamundur të bëhej menjëherë në kushtet që ndodhet vendi ndaj duhet shtrirë në kohë.

Kreu i qeverisë shprehu dakordësi për të rritur buxhetin për arsimin. Sa u takon tarifave të shkollimit Rama tha se ishte dakord që ato të përgjysmoheshin duke përdorur përshkallëzim në favor të ekselentëve dhe shtresave në nevojë.

Rama tha se ligji i arsimit të lartë nuk ka rënë, por nuk është zbatuar siç duhet nga universitetet.

I vënë përballë rrëfimeve të studentëve në tre emisionet e fundit të “Opinion”, të cilët shpjegonin vuajtjet për të paguar tarifat e universiteteve, Kryeministri Edi Rama tha se edhe vajza e tyre kishte punuar recepsioniste për të paguar shpenzimet.

Blendi Fevziu: Studentët kanë hall, hall të mirëfilltë. 200 karrige për 270 studentë. Studenti i verbër që paguan 1.5 milionë, ndërkohë që ligji thotë se duhet ta ketë falas. Përse nuk ua plotëson kërkesat, përse i lë prej 8 ditësh para zyrës tuaj në të ftohtë? Prej dy netësh ndezin zjarr. Jeni prind vetë…

Edi Rama: Faleminderit që ma kujtove këtë dhe në fakt. Duke qenë prind vetë m’u kujtua që vajza jonë, kur shkoi për studime, punonte turn i tretë recepsioniste, për të mbuluar pjesën e shpenzimeve që i duheshin, sepse kështu nuk është këtu është kudo.

Rama foli mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku ishte vënë përballë gazetarëve Mirela Milori, Robert Rakipllari, Andi Bejtja dhe Mark Marku. Në studio nuk kishte asnjë përfaqësi të studentëve.

Sipas studentëve, plotësimi i listës me 8 kërkesa është negociata e vetme me qeverinë, pasi ata nuk pranojnë të përfshihen në dialog pavarësisht ftesave të përsëritura të kryeministrit Edi Rama.

Një debat me tonë të larta është ai që po zhvillohet mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Opinion” në Tv Klan, ku kryeministri Edi Rama u përplas me pedagogun Mark Marku.

Mark Marku: Nëse në një universitet publik, ti heq fondet, si mundet…

Edi Rama: Cilin fond?

Mark Marku: S’keni fond për pagat, 9 muaj paguan pagat. Ja pra pse s’duhet negociuar, sepse studentët e dinë këtë që nuk duhet negociuar me ata që nuk negociojnë vetëm mashtrojnë.

Edi Rama: Mbaj gojën, sepse jam këtu prezent, fjalën mashtrim përdore kur të mos jem unë këtu.

Mark Marku: Çfarë fjalë duhet të përdor?

Edi Rama: Përdor çfarë të duash. Fjalën mashtrim mos e përdor më.

Mark Marku: Mirë e lemë, që bëjnë propagandë gjithë kohës.

Edi Rama: Propaganda është opinion, mund ta thuash, është problemi yt. Ke opinionin tënd, thuaje. Ti fjalën mashtrim këtu në syrin tim nuk e thua.

Mark Marku: Mashtron more qeveria. E them dhe po ta thonë ata gjithë ditën.

Edi Rama: Jo nuk ma thua mua.

Mark Marku: Unë po ia them qeverisë time, ti je kryeministri këtu.

Edi Rama: Jo, unë nuk jam ti, jam ju sepse nuk ta kam dhënë këtë mundësinë që të flasësh me ti.

Kryeministri Edi Rama tha në “Opinion” se pavarësisht protestave të studentëve, ligji i Arsimit të Lartë nuk ka rënë, por duhet zbatuar.

“Në asnjë mënyrë (nuk ka rënë). Ligji i Arsimit të Lartë duhet zbatuar. Ligji i Arsimit të Lartë nuk është zbatuar si duhet.”

Kreu i ekzekutivit tha se një pjesë të madhe të fajit për kërkesat e studentëve është e universiteteve, të cilat janë autonome.

“Autonomia është shfrytëzuar faktikisht si mungesë përgjegjësie. Sepse në të gjithë atë listë kërkesash, një pjesë e tyre nuk ka lidhje fare me qeverinë.”

Rama u kujdes të kujtonte se abrogimi i Ligjit të Arsimit të Lartë nuk është në mesin e 8 kërkesave të studentëve, por është më shumë diçka që kërkohet nga pedagogë të ndryshëm.

Kryeministri Edi Rama ka folur mbrëmjen e së enjtes në “Opinion” për herë të parë lidhur me skandalin me tenderin e lotit të parë të Unazës së Madhe ku është përfshirë kompania “DH Albania”.

“Që në momentin që ka dalë në një media i jemi drejtuar Ambasadës Amerikane, shtetit amerikan dhe i kemi kërkuar menjëherë të na informojë lidhur me autenticitetin e pretendimit dhe të na mundësojë nëpërmjet kanaleve zyrtare të dimë kush janë ata që fshihen pas këtij operacioni, me letra. Që t’i japim fund edhe asaj që thoni ju jo është Edi Rama, jo është Damian Gjiknuri.”

Kryeministri shpjegoi se çfarë do të ndodhë edhe me fondin e garancisë që do të sekuestrohet.

“Kemi filluar procedurën për të sekuestruar 2 milionë eurot e garancisë, të cilat do t’i kthejmë në një fond mbështetjeje për familjet në nevojë që dëmtohen nga investimet publike dhe ndërkohë kemi marrë avokat për të hartuar një kërkesë gjyqësore për dëmin moral. Janë të gjitha këto masa që janë ndërmarrë. Tendera ku hyjnë kompani me firma të falsifikuara ka në të gjithë botën”.

Përballja mes Kryeministrit Edi Rama dhe panelit të gazetarëve në studion e “Opinion”, nuk ka kaluar pa debate me tone të larta e përplasje mes tyre. Madje në një moment, kreu i qeverisë u përplas edhe me drejtuesin e programit, Blendi Fevziu.

Blendi Fevziu: Mos më bërtit mua!

Edi Rama: Po ti po më bërtet…

Blendi Fevziu: Po avash more se po i drejtohesh kameras sikur… jemi këtu.

Blendi Fevziu: Po mirë pra fol, mos më fol mua sikur… Je me ta? Se më the je me ta.

Edi Rama: Po

Blendi Fevziu: Je me studentët? Shko takoi, ke kurajo.

Edi Rama: Po pse bërtet më, pse bërtet…

Blendi Fevziu: Ore mos më trash zërin mua.

Edi Rama: O Fevzi, përse bërtet?

Blendi Fevziu: Pse bërtas unë? Po sepse e fillon vetë ti, nuk intimidon dot 5 veta në studio ti.

Edi Rama: Unë po u them mos i dëgjoni këta, mos dëgjoni pedagogë si Sherif Bundo e Mark Marku, mos dëgjoni analistë e mos dëgjoni kazan. Mos dëgjoni njerëz që ju thonë që të mos dialogosh është virtyt. Mos dëgjoni njerëz që ju thonë që të bllokosh dhe të bësh ultimatume është qytetari, këto janë barbari. Uluni dhe kjo është shumë e thjeshtë. Nuk ka nevojë për përfaqësi të votuara, nuk do të firmosni, do të bisedojmë, do të diskutojmë, unë jam me ju. Dhe po ju them vetëm kaq. Protesta do të mbarojë një ditë, unë do të jem protestues për ta çuar përpara punën e universitetit, në luftë me gjithë këta lloj fantazmash të të kaluarës dhe të të sotmes. Fantazma si Sherif Bundo, e si Mark Marku.

Pas debateve të ashpra, gazetari Belndi Fevziu i ka vënë përballë Kryeministrit Edi Rama edhe një student të verbër, i cili pasi nuk ka gjetur mundësi të paguajë tarifën e universitetit publik ka gjetur një bursë studimi në një kolegj privat.

Studenti: Pse nuk e zbatoni ligjin 80/98 për personat me aftësi të kufizuar që arsimi për ne të jetë falas? A interesohesh ndonjëherë për personat me aftësi të kufizuar? Çfarë bëhet me ta?

Edi Rama: Ligji ju njeh ju të drejtën dhe derisa kur shkoni në nivelin master e keni automatike (pagesën zero). Ndërsa në master janë universitetet që duhet ta bëjnë këtë gjë, por nuk e kanë bërë. Dhe kjo është diçka që unë e kam mësuar nga kjo protestë, siç kam mësuar edhe gjëra të tjera sepse unë nuk i di të gjitha. Dhe e dyta, universiteti ka një autonomi. Qeveria e financon, e monitoron, por qeveria nuk merr vendime për universitetin.

Studenti: Po kur thoni qorr e sakat, a e mendoni? Sa herë e keni përmendur fjalën qorr sot, pavarësisht se është mbiemri i Arlindit, si mund të ndihem unë që jam i verbër. Po sakat sa herë e ke thënë?

Edi Rama: Sakat?

Studenti: Po qorr, sakat. Sot nuk e ke thënë sakat, flas herët e tjera.

Edi Rama: Fjalën sakat se kam thënë asnjëherë.

Studenti: Ore ti nuk pranon asnjë gjë, s’di ça të them tani. Fjalën qorr sa herë e ke përmendur sot?

Edi Rama: Kam përmendur mbiemrin e një profesori që e ka Qorri, si t’ia them?

Studenti: Arlind, thuaji emrin, kur ai ka një mbiemër pak fyes ose diskriminues.

Edi Rama: Më vjen keq, por nuk duhet ta marrësh si fyerje mbiemrin e tij, ai ka një mbiemër të respektuar, kështu që nuk ka lidhje me verbërinë.

Studenti: Po ne të rrimë pa arsim? Çfarë do të bëhet me ne… Jemi rreth 100 e ca studentë që vazhdojmë studimet në Tiranë. Unë desha të regjistrohem në shtetëror, por nuk munda të paguaj tarifën dhe gjeta një kolegj privat që më mbuloi me bursë.

Edi Rama: Me buxhetin e ri ka 700 mësues ndihmës të personalizuar për fëmijët me aftësi të veçanta.

Rama tha se duhet të ketë një qasje ndryshe nga shteti për të gjithë studentët me aftësi të veçanta.

“Për mua juve të gjithëve duhet tua paguajë shteti 100 përqind. Kështu mendoj unë dhe kështu do ta bëjmë. Por për këtë duhet të ulemi të diskutojmë. Edhe diçka për ju dhe të gjithë ata që thonë çojmë letra. Mos çoni letra, drejtohuni tek platforma ‘Shqipëria që duam’”.

I ftuar këtë të enjte në studion e “Opinion” në Televizionin Klan, Kryeministri Edi Rama ripërsëriti gatishmërinë e tij për plotësimin e kërkesave të studentëve, por theksoi se për realizimin e tyre duhet dialoguar. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk është kundër me pikat e studentëve dhe të gjitha duhen marrë një nga një për t’u realizuar.

E për t’i marrë të gjitha pikat një për një, Kryeministri shkoi pranë Blendi Fevziut me shkop në dorë, për të shpjeguar çdo kërkesë të studentëve nga videowall-i në studion e “Opinion”.

Blendi Fevziu: Karta e studentit?

Edi Rama: Karta e studentit duhet të ishte bërë, edhe kjo i kërkohet Kryeministrit, s’ka problem, edhe këtë do ta bëjmë.

Blendi Fevziu: Kur?

Edi Rama: Do ta fillojmë menjëherë…

Andi Bejtja: Do fillojmë Rilindjen nga e para prap tani…

Edi Rama: Kjo do të jetë Rilindja e dytë dhe do të jetë më e fortë… po të lajmëroj, për fatin e keq të gjithë atyre që e nxitën në fillim këtë protestë, kjo do jetë Rilindja e dytë dhe jo vetëm e universitetit.

Blendi Fevziu: Ndërtimi i bibliotekave me standarde europiane? Po u rrit buxheti bëhet.

Edi Rama: Biblioteka shkencore, dixhitale e universitetit është gati në Janar.

Blendi Fevziu: Vetting-u i pedagogëve?

Edi Rama: Edhe kjo është një gjë që duhet diskutuar. “Po” nuk diskutohet, por “Si”. “Si”-ja duhet diskutuar.

Teksa merrte pikat me radhë, Kryeministri u kthye nga kamera dhe iu drejtua studentëve me këto fjalë: “Të 8 pikat janë Po. Tani mos dëgjoni më të gjithë ata që ju thonë se është virtyt të mos dialogosh dhe është qytetari t’i thuash jo dialogut. Hajde ulemi, jeni qytetarë… dhe nëse doni mos e bëni si ai personazhi i Ismail Kadaresë, që ishte gati të vriste veten që t’i bëhej një këngë”.

*********************************************************

HYATT ne Shqiperi!