Ministrja tregon shifrat: Sa shqiptarë kanë kërkuar riatdhesimin nga SHBA dhe Kanada?

Ministrja e Infrastrukturës dhe Transporteve Belinda Balluku ka deklaruar se ditën e enjte më 7 Maj do të riatdhesohen nga SHBA 120 pasagjerë që vijnë direkt nga New York përmes Londrës.

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Balluku është shprehur se deri më tani kanë kërkuar mbi 256 shqiptarë nga SHBA dhe Kanada që të riatdhesohen në Shqipëri pas mbylljes së kufijve.

Blendi Fevziu: Do të ketë riatdhesime interkontinentale?

Belinda Balluku: Ka pasur riatdhesime interkontinentale. Çifti që kishte mbetur në Bangkok janë kthyer. Çifti u kthye me shumë peripeci pasi ishte shumë e vështirë që të dilje nga Tajlandë, megjithatë janë kthyer, ndodhen në karantinë. Kemi kthyer shumë grupe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Kanadaja.

Blendi Fevziu: Sa është numri i atyre që kanë ardhur nga SHBA dhe nga Kanada deri tani?

Belinda Balluku: Deri tani nga SHBA janë më shumë se 100 persona që kanë ardhur në mënyrë të shpërndarë. Por për shembull, me fluturimin e Londrës më datë 7 Maj vijnë më shumë se 120 pasagjerë që vijnë direkt nga New York.

Blendi Fevziu: Sa qytetarë shqiptarë kanë kërkuar të riatdhesohen nga SHBA dhe nga Kanada deri tani?

Belinda Balluku: Ambasada në SHBA ka bërë një punë shumë të mirë. Ka pasur një listë me rreth 256 të numrit të kërkesave për t’u riatdhesuar. Shumica prej tyre janë akomoduar. 

Kur do të nisin fluturimet normale?

Avionët do të ngrihen kur të hapen kufijtë dhe kjo gjë nuk është në dorën e qeverisë shqiptare. Kështu u shpreh këtë të martë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ajo u pyet nga gazetari Blendi Fevziu se kur do të mund të nisin fluturimet normalisht. Mirëpo sipas ministres duhet të ketë një koordinim të përbashkët me të gjitha qeveritë.

“Pyetja është kur do të hapen kufijtë sepse avionët nuk ngrihen normalisht. nuk është më në dorën e qeverisë shqiptare. Duhet të ketë një koordinim të përbashkët me qeveritë e vendeve të tjera. Nëse linjat me Italinë funksionojnë në mënyrë normale duhet që Italia të hapë të gjithë kufijtë”, tha ministrja.

Sipas Balluut, bazuar edhe në draftin e vendeve europiane, gjasat më të mëdha janë që “brenda Qershorit lëvizja të jetë vetëm brenda shtetit dhe kufijtë të hapen në Shtator”.

Gjithashtu ajo tha se po punohet për marrëveshje bilaterale për të sjellë turistë sipas disa protokolle strikte.

Debati për testimet, Hoxha: I keni me pikatore. Ministrja: Nuk je ekspert

Në studion e emisionit “Opinion” u diskutua rreth të riatdhesuarve dhe karantinimit të tyre pas kthimit në Shqipëri. Madje diskutimet u shoqëruan me një debat mes gazetarit Artan Hoxha dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas gazetarit, në disa raste, avionët e riatdhesimit kanë ardhur të mbushura plot kundër rregullave të vendosura. Ai pyeti ministren se pse nuk u merret tampon në aeroport që nëse dalin negativë ata të kthehen në shtëpi.

Ndërkohë ministrja tha se në rastet kur avionët janë kthyer plot kanë qenë misione shpëtimi. Ajo u distancua nga tamponimi i të riatdhesuarve sepse sipas Ballukut është detyrë e ekspertëve të mjekësisë për ta vendosur këtë.

Belinda Balluku: Sipas shqetësimit tënd ne duhet të marrim një avion privat për çdo person, t’i hipim tek e tek dhe t’i sjellim në Tiranë.

Artan Hoxha: Jo avion personal. Më dëgjove çfarë thashë? Thashë që avioni ishte i mbushur në të gjithë kapacitetin e tij. Unë them që në pamundësinë për të krijuar hapësirë a mund t’i kontrolloni njerëzit kur zbresin? Kaq e thjeshtë është.

Belinda Balluku: Ky është proces riatdhesimi dhe nesër vjen një avion nga Malta. Ne sjellim nesër dhe avion vjen plot. Të gjitha udhëtimet riatdhesuarve nga Amerika vijnë plot sepse janë udhëtime “rescue” shpëtimi dhe konsiderohen që të gjithë pacientë, për këtë arsye qëndrojnë në izolim.

Artan Hoxha: Çfarë ju pengon t’i kontrolloni në Rinas?

Belinda Balluku: Ata nuk kanë një historik dhe në aeroport konsiderohen pacientë. Nuk do debatoj me ty dhe ti bën gabim që i hyn këtij debati nëse duhet t’i marrim tampone apo jo? Unë nuk jam eksperte e shëndetësisë siç nuk je dhe ti.

Artan Hoxha: Unë po kërkoj të mbrojmë të riatdhesuarit dhe pjesën tjetër të popullatës.

Belinda Balluku: E mbrojmë përmes karantinimit.

Artan Hoxha: Pse mos t’i marrim një analizë, çfarë na pengon ne?

Belinda Balluku: Pse duhet ta marrim ne kur ka ekspertë që e vendosin.

Artan Hoxha: Më duket që i keni tamponët me kursim, me pikatore.

Belinda Balluku: Jo i dashur këtë ia kam lënë në dorë ekspertëve dhe unë kam në dorë riatdhesimin.

Atentati në Durrës, avokati zbulon detaje: Altin Ndoci u takua me viktimën para vrasjes

Avokati Saimir Visha ka zbuluar të tjera detaje për ngjarjen e rëndë që tronditi Durrësin më 27 Prill, kur në zonën e tregut të makinave në Shën Vlash mbetën të vrarë në një atentat vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia.

Sipas avokat Vishës, klienti i tij Altin Ndoci nuk ka lidhje me këtë ngjarje.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, avokati Saimir Visha është shprehur se Altin Ndoci u takua me Besmir Haxhinë mëngjesin e ditës kur ndodhi atentati, pasi kishin njohje të mëparshme.

Avokat Visha: Ditën e ngjarjes, Besmiri, një nga viktimat, është takuar me të mbrojturin prej në mëngjes, dhe ky është fakt. Ka vajtur për të marrë gruan në Gramsh dhe është ndaluar tek shtëpia e të mbrojturit prej meje. Imagjino që të jesh në një takim miqësor dhe shoqëror dhe pas pak të vritesh. Nuk ka logjikë. Ka qenë në banesën e vetë dhe i kemi të gjitha me regjistrime.

Për vrasjen e dyfishtë në Durrës janë arrestuar Altin Ndoci dhe Klevis Alla 22 vjeç. Ky i fundit i tregoi policisë vendin ku autorët kishin hedhur armët dhe kishin fshehur makinën pas krimit. /tvklan.al