Monika Kryemadhi dhe stafi përballë gazetarëve

Në studio: Monika Kryemadhi, Erisa Xhixho, Endrit Braimllari, Etion Joka, Klajda Gjosha

Gazetarët: Fatos Hakorja, Edlira Gjoni, Nisida Tufa, Julian Zyla

Në çfarë pozicioni e sheh veten Kryemadhi nëse fiton zgjedhjet

Drejtuesja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi thotë se në rast të fitores së opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit, përgjegjësia dhe angazhimi në qeverisjen e re do të bëhet në proporcion me rezultatin.

Një nga pikat kryesore është një diskutim lidhur me ndarjen e një qeverie të ardhshme, çfarë pozicioni do keni ju dhe në çfarë pozicioni e shihni, në rast se fitoni, koalicionin me PD?

“Ne kemi një marrëveshje të dakordësuar me 1 Mars, që janë 13 prioritete. Prioritetet janë 13 pika që kanë të bëjnë për sa i përket problematikave programore dhe angazhimeve të secilit, por themi formacion politik. Kemi vendosur në bazë të rezultatit, në proporcion të rezultatit është edhe përgjegjësia dhe angazhimi në qeverisje.  Një nga pikat kryesore është check and balance, pra kontroll dhe balancë, një nga gjërat që duhet të jetë, për arsye sepse sot nuk është më çështja për të pasur karrige ministrore dhe emra që janë kukulla, qoftë të kryetarëve të partive, apo qoftë partive politike apo individëve, por bëhet fjalë për pasur një strukturë qeverisëse drejtuese, qeverisje për të çuar Shqipërinë të sigurt drejt BE”.

Monika Kryemadhi: Jam zënë me Metën, e kam pasur ‘block’ në celular

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka deklaruar gjatë emisionit “Opinion” se Presidenti Ilir Meta ka qenë ‘block’ në celularin e saj gjatë fushatës. Ajo u shpreh se ka qenë zënë me kreun e shtetit për çështje të zgjedhjeve.

Sipas Kryemadhit, çështja e procesit zgjedhor në Shqipëri kërkon fokusin e të gjitha institucioneve. Kryemadhi tha se “pajtuesi i gjaqeve” mes saj dhe Metës ka qenë Lulzim Basha, i cili sipas kryetares së LSI-së është në unison të plotë me kryetarin e shtetit.

Blendi Fevziu: Si janë raportet me Bashën? Keni folur këto kohët e fundit?

Monika Kryemadhi: Pa fund kemi folur jemi gjithë kohës në kontakt. Biles meqë kishin merak jam zënë apo nuk jam zënë unë me Ilir Metën, Po, kemi qenë…

Blendi Fevziu: Jeni zënë me Ilir Metën?

Monika Kryemadhi: Po, ka qenë ‘block’ Ilir Meta në telefonin tim.

Blendi Fevziu: Pse?

Monika Kryemadhi: Sepse zihemi me mesazhe, shahemi me mesazhe për shkak të…

Blendi Fevziu: Po ju e quanit dashuria e jetës sime para disa kohësh apo u tret dashuria për një muaj?

Monika Kryemadhi: Në politikë dashuria është luftë dhe zoti Basha ka qenë ndërmjetësuesi për t’u pajtuar.

Blendi Fevziu: Ju ishit zënë me Ilir Metën për çështje personale apo çështje të zgjedhjeve?

Monika Kryemadhi: Zihemi për çështjet e zgjedhjeve.

Blendi Fevziu: Po ç’punë ka presidenti me çështjet e zgjedhjeve në LSI?

Monika Kryemadhi: Sepse ajo që unë mendoj është që çështja e procesit zgjedhor në Shqipëri kërkon fokusim total të të gjitha institucioneve shtetërore  dhe ajo që është akoma më e rëndësishme është që institucionet zyrtare, qoftë Presidenti, Kryeministri, prokuroria dhe gjykatat janë institucione që qoftë pavarësisht se ndodh kapja e shtetit, qoftë edhe për hipokrizinë qytetare dhe të mediave duhet të jenë shumë korrekte.

Blendi Fevziu: I bie që këto kohë Basha po bën pajtuesin e gjaqeve?

Monika Kryemadhi: Po e them, sigurisht që është pajtues i gjaqeve sepse është në unison me Presidentin Meta. Unë jam më agresive, më radikale në veprime se këta.

Blendi Fevziu: Më radikal se zoti Meta unë nuk kam parë këto kohë?

Monika Kryemadhi: S’keni parë gjë…

Blendi Fevziu: S’kam parë gjë akoma!

Monika Kryemadhi: Po të jetë puna për radikale Ilir Meta ka falur nja shtatë herë deri tani Edi Ramën, Monika Kryemadhi nuk e ka falur asnjëherë. 

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, deklaroi këtë të martë se telefoni i saj është në përgjim pres disa javësh. Po ashtu ajo u shpreh se Operacionalja e Ministrisë së Brendshme ka vënë në përgjim prej 3-4 muajsh të gjithë kandidatët e LSI-së. Sipas Kryemadhit, në këtë çështje janë përfshirë edhe agjentë të sektorëve të tjera, madje edhe SHISH.

“Unë kam një problem shumë të madh me telefonin me thënë të drejtën prej dy javësh nuk arrij të shoh dot as story-t në Instagram për shkak të përgjimit sepse ta dinë të gjithë qytetarët kur telefoni përgjohet, konsumimi i internetit është i pamundur. Më dërgoi Etjoni një video, nuk kishte burrë nëne të shkarkohej. Të gjithë kandidatët e LSI-së jo vetëm që janë në përgjim prej 3-4 muajsh nga Operacionalja e Ministrisë së Brendshme. Të gjithë nëpunësit e Operacionales, të gjithë nëpunësit e Kriminales, të gjithë agjentët, SHISH, të gjithë janë vënë në shërbim të kësaj. Jemi shumë mirënjohës që përgjojnë hap pas hapi çdo kandidat tonin sepse ndihemi më të sigurt përballë bandave dhe grupeve kriminale”, tha Kryemadhi.

Ajo u shpreh se në zyrat e LSI-së janë gjetur përgjues ambientalë.  

“Ne ju kemi gjetur edhe përgjuesit ambientalë në zyrat tona, ua kemi lënë aty. Po flasim për rastin e Durrësit, Tiranës. Ku janë në kat të dytë, ku janë në cep të katit të parë. Nuk kemi instaluar antipërgjues. Janë shumë të trashë, janë pa shkollë”.

Kryemadhi denoncoi në studion e Opinion rastin e blerjes së votave. Ajo u shpreh se në Shkozë janë shpërndarë para në emër të PS-së.

“Ka dhe një rast tjetër, po ju jap prapë informacion operacionales. Mund të shkojnë në Shkozë janë 4 banakierë që kanë shpërndarë para në emër të PS-së dhe janë edhe 7 banakierë të tjerë që po presin radhën në ditën e zgjedhjeve në këmbim të fotografisë”.

/tvklan.al