Paqartësia ka mbërthyer Brexit-in në orët e tij të fundit. Deputetët e Dhomës së Ulët ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për mënyrën se si do t’i japin fund këtij procesi, me ose pa marrëveshje apo do ta anulojnë me referendum të dytë.

Natën e kaluar parlamenti hodhi poshtë 8 skenarë të ndryshëm të Brexit-it, çka nxiti edhe ironinë e të përditshmes “The Guardian” me titullin kryesor “Parlamenti ka tashmë fjalën e vet”, që pasohet nga 8 – Jo.

I vetmi përparim konsiderohet që 20 nga 100 deputetët rebelë konservatorë premtuan votën pro marrëveshjes së arritur nga Theresa May me Brukselin pasi Kryeministrja premtoi dorëheqjen. Megjithatë shefja e qeverisë së Londrës duhet të bindë edhe 75 deputetë të tjerë rebelë, përfshirë unionistët irlandezë për të mbështetur marrëveshjen.

Afati zyrtar i procesit të Brexit-it skadon brenda pak më shumë se 24 orëve të ardhshme. Megjithatë Brukseli e ka lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së këtij afati për t’i dhënë kohë politikës britanike për të shmangur kaosin total që rrezikon vendi.

Tv Klan