Sot mblidhet komisioni “Gjana”, dorëhiqet Bozdo

Menjëherë pasi Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi mbajtjen e zgjedhjeve për kreun e ri të kësaj force politike në 13 Qershor dhe ngritjen e Komisionit Zgjedhor, në selinë blu ka nisur puna për përgatitjen e tyre.

Pasditen e sotme pritet mbledhja e parë e këtij komisioni që do të organizojë procesin elektoral për kreun e ri të demokratëve. Por pa kaluar 24 orë nga ngritja e tij, njëri prej anëtarëve, Enno Bozdo nuk ka pranuar të jetë pjesë e komisionit.

Deri më tani  në zgjedhjet e 13 Qershorit, Lulzim Basha ka përballë anëtarin e kryesisë, Fatbardh Kadilli, ndërsa pritet që edhe grupimi për PD-në të nxjerrë një kandidaturë për kreun e ri të PD-së.

Krahas debateve që shoqëruan mbledhjen e kryesisë edhe atë të Këshillit Kombëtar, edhe kjo e hënë ka sjellë qëndrime kritike ndaj lidershipit të demokratëve Lulzim Basha. Për ta Basha është humbës i përsëritur e për këtë arsye duhet të japë dorëheqjen e parevokueshme për të hapur një garë të drejtë e të barabartë në parti.

Me të njëjtën gjuhë ndaj tij u shfaq sërish Kryetari i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani i cili në një postim në rrjetet sociale e cilësoi tallëse  dhe të gënjeshtërt ndaj demokratëve qëndrimin e Lulzim Bashës në dy forumet e PD-së.

Sipas Nishanit, Bashës i intereson vetëm vula dhe karrigia e kryetarit dhe aspak rritja e Partisë Demokratike e aq më pa shprehet ai zhvillimi i demokracisë për të ndryshuar Shqipërinë. Për Nishanin ajo që nisi dje është fillimi i fundit politik të Lulzim Bashës dhe platformës së asgjesimit të Partisë Demokratike.

Sakaq edhe Grupimi për PD-në ka reaguar duke e cilësuar të pabarabartë garën për kreun e PD-së. Sipas anëtarëve të këtij grupimi Basha ka emëruar në mënyrë të njëanshme komisionin zgjedhor, duke e cilësuar atë një vegël të kryetarit që nuk siguron kushte për konkurrencë të ndershme, pasi kriteret e pranimit të kandidaturave do të përcaktohen nga komisioni zgjedhor.

Grupimi për PD-në thekson nevojën e një analize për humbjen e zgjedhjeve dhe një reformim të Partisë Demokratike, që sipas tij është marrë peng nga lidershipi aktual Basha.

Tv Klan