Paloka zëvendëson Nishanin, Rushaj zgjidhet në krye të Grupit

Krahas strukturave të reja drejtuese, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike zgjodhën me votë të fshehtë edhe kryesinë e re të kësaj force, e cila kësaj here do të ketë 15 anëtarë të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga 13 që kishte kryesia e mëparshme.

Pas përfundimit të numërimit të votave pak pas mesnate, selia blu bëri publike emrat fitues, ku bie në sy një rinovim i kësaj strukture drejtuese me afro 50 përqind të saj, teksa 6 nga 13 anëtarët e mëparshëm nuk janë rizgjedhur më, ndërsa 3 të tjerë hyjnë për shkak të funksioneve të reja që kanë marrë.

Në kryesinë e re janë zgjedhur rishtazi Agron Gjekmarkaj, Gert Bogdani, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Fitim Zekthi, Ervin Salianji, Juela Hamati, Taulanta Jaupi dhe Lindita Metaliaj, ndërsa janë rikonfirmuar sërish në këtë forum drejtues emrat e Oerd Bylykbashit, Tomorr Alizotit, Flamur Nokës, Kreshnik Çollakut, Oriola Pampurit dhe Dhurata Çupit. Ndërkohë që Jorida Tabaku, Grida Duma, Enkelejd Alibeaj do jenë sërish pjesë e kryesisë, por tashmë si nënkryetarë të partisë. Pjesë e saj do jetë edhe kryetari i Grupit Parlamentar, Alfred Rushaj, i cili për shkak të detyrimeve staturore mban edhe postin e nënkryetarit të partisë.

Jashtë kryesisë kanë mbetur disa emra të njohur të demokratëve, përfshi këtu edhe kundërshtarin e kryedemokratit Lulzim Basha në garën për kryetar të Partisë, Fatbardh Kadilli. Veç tij nuk kanë mundur të rizgjidhen edhe emra si Endri Hasa, Enno Bozdo, Florjon Mima, Izmira Ulqinaku dhe Jamarber Malltezi.

Në votimet e tjera të Këshillit Kombëtar, Gazment Bardhi u rikonfirmua në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, ndërsa në krye të Këshillit Kombëtar është zgjedhur Edi Paloka që morri vendin e Bujar Nishanit. Në një reagim në rrjetet sociale Basha shkroi se demokratët i dhanë besim ekipit të ri për një sfidë që nuk është thjesht partiake, por kombëtare, atë për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend.

Tv Klan