Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme ka votuar në lexim të dytë projekt-rekomandimin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave nga ana e Bashkimit Evropian.

Me 47 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime, komiteti dha dritën jeshile për miratimin përfundimtar të legjislacionit, i cili do t’i lejojë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në BE – dhe qytetarët e BE-së të shkojnë në Kosovë – pa pasur nevojë për vizë, për periudhë deri në 90 ditë.

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ishte raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan Klan Kosova.

Komisioni për Liritë Civile miratoi në janar marrëveshjen e arritur me Këshillin në dhjetor 2022 për liberalizimin e vizave me Kosovën. Puna për dosjen filloi gjatë legjislaturës 2014-2019 dhe Parlamenti e mbylli qëndrimin e tij në lexim të parë në fund të atij mandati.

Pas marrëveshjes së dhjetorit dhe miratimit nga Këshilli në leximin e parë më 10 mars, Parlamenti do të japë miratimin përfundimtar gjatë seancës plenare të 17-20 prillit në Strasburg.

Liberalizimi i vizave pritet të hyjë në fuqi sapo të jetë vendosur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), më së voni më 1 janar 2024.