Rriten furnizimet në vendet e rajonit, Bosnja pret dozat

Ndërsa vendet në Evropë luftojnë me mungesat e vaksinave Covid-19, Kina ka rritur furnizimet në Ballkanin Perëndimor.

Duke dërguar vaksina në vendet më të varfëra, Pekini po synon që të mbushë vakumin e lënë nga vendet perëndimore të cilët kanë blerë të gjitha dozat e prodhuara nga kompanitë farmaceutike perëndimore. Gjatë pandemisë, presidenti Vuçiç nuk u përmbajt në trumbetimin e lidhjeve të forta të Beogradit me Pekinin duke puthur flamurin kinez në muajin Mars pasi mori ndihmat mjekësore. 

Pjesa më e madhe e dozave në Serbi rreth 1.5 milion kanë ardhur nga kompania farmaceutike Sinopharm e mbështetur nga shteti kinez. Për Kinën situata me mungesen e vaksinave është një mundësi e artë për të turpëruar BE-në dhe Perëndimin tha Dimitar Bechev, anëtar i Institutit për Shkencat Humane në Vjenë.

BE u zotua t’u japë 85 milion dollarë për të blerë vaksina gjashtë shteteve ballkanike por dërgesat janë vonuar. Maqedonia e Veriut do të blejë 200,000 doza të Sinopharm me shpresën e vaksinimit të shpejtë të popullsisë së saj.

Hungaria ndoqi shembullin e Serbisë pasi miratoi në mënyrë të njëanshme nga BE-ja vaksinen kineze të Sinopharm nga e cila mori 5 milion doza në 16 shkurt. Edhe qeveria kroate ka nisur kontaktet me kinezët që të sigurojë sasi të mjaftueshme të vaksinës së tyre Sinopharm por nuk dihet nëse Zagrebi do të veprojë jashtë vendimarrjes së BE-së. Një dërgesë e vaksinave Sinopharm do të mbërrijë në ditët në vijim në Bosnjë dhe Herzegovinë pas porosisë për blerjen e tyre në datë 8 Shkurt.

Rreth 2,000 punonjës mjekësorë serbë të Bosnjës janë vaksinuar në Serbi. Nacionalizmi i vaksinave i ka lënë vendin edhe turizmit të vaksinave. Çdo ditë, boshnjakë, kroatë, kosovarë, malazezë dhe maqedonas udhëtojnë në Serbi me shpresën se do të marrin një dozë të vaksinës kundër Covid-19.

Klan News