Në takimin me delegacionin e Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, të kryesuar nga Ragmi Mustafa, Sali Berisha u shpreh kategorikisht kundër idesë që Hashim Thaçi hodhi për diskutim në Kosovë për korrigjim të kufijve. Berisha e sheh këtë një ide që buron direkt nga Beogradi dhe i bëri thirrje shqiptarëve të Luginës të mos përdoren si plaçkë tregu.

“Është fakt i pamohueshëm se Serbia gjithnjë ka dashur t’u përdori si plaçkë tregu dhe për shkëmbim territoresh. Personalisht unë kam qenë dhe jam gjithnjë për paprekeshmërinë e kufijve të Kosovës dhe çdo lloj copëtimi, ndarje apo tregtie me territorin e saj dhe kundër çdo diskutimi për këto çështje. Mendoj se të njohësh të drejtën Serbisë, fuqisë së humbur nga lufta, të paraqesë pretendime territoriale ndaj Kosovës është gabim i madh dhe historik, është në një farë mënyre një zhbërje e qëllimit dhe rezultatit të luftës dhe kapitullimit të Serbisë. Të pranosh idenë e ndarjes së Kosovës në një mënyrë apo në një tjetër mbështet idenë dhe përpjekjen e Beogradit për Serbinë e Madhe në kurriz të Kosovës”, tha Berisha.

Berisha thotë se qëllimi i vërtetë i ofertës së serbëve është zhbërja e Kosovës dhe se çdo marrëveshje duhet të ketë në bazë të saj respektimin e territorit të dy shteteve.

 “E vërteta është se në këtë rast Serbia kërkon të bëjë tregti, të përdorë si plaçkë tregu territoret shqiptare pasi ajo është e shqetësuar nga zgjimi gjithnjë e me i madh i vetëdijes kombëtare tek banorët shqiptar të Pazarit të Ri. Për të gjitha këto u shpreha se jam kategorikisht kundër dhe se kam bindje se këto përpjekje destabilizuese të Serbisë do të dështojnë. Theksova se çdo marrëveshje dhe çdo zgjidhje duhet të jetë një marrëveshje midis dy vendeve të pavarura që njohin dhe respektojnë integritetin territorial të njeri – tjetrit. Ju nuk duhet në asnjë mënyre ë bëheni shkak për këto pazare.”

Por i gjendur nën presionin e një terreni aspak mikpritës për idenë e tij të korrigjimit të kufijve me Serbinë, Hashim Thaçi i është përgjigjur Berishës me një gjuhë të ashpër, duke i kujtuar periudhën para luftës së Kosovës.

“Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike. Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviçit. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste. Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare.”

Ideja e korrigjimit të kufijve në Kosovë është hedhur nga Hashim Thaçi por, është pritur me skepticizëm si në opinionin publik ashtu edhe në politikë.

Thaçi sqaroi në një konferencë të posaçme për shtyp se ideja e korrigjimit të kufijve nuk prek asnjë pëllëmbë toke të Kosovës dhe se qytetaret do të shprehen me referendum për kërkesën e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit për t’iu bashkuar Kosovës.

Tv Klan