Donika Prela, drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krimet e Rënda nuk ka komentuar situatën e krijuar në institucionin që ajo drejton. Gazetarët tentuan t’i merrnin një reagim për akuzat e 10 prokurorëve të institucionit që ajo drejton për presione dhe shkelje të ligjit, por ajo shmangu përgjigjen.

10 prokurorë janë nën hetim disiplinor për shkak se refuzuan të marrin pjesë në shortin e dosjes së Emiljano Shullazit. Ata e cilësuan të paligjshëm këtë procedurë, duke u larguar nga mbledhja.

Pas njoftimin të Arta Markut, nga ana e Prelës u urdhërua hetimi për prokurorët dhe tre prej tyre u transferuan në rrethe. Në mesin e prokurorëve, që sipas Arta Markut kanë thyer disiplinën dhe ligjin janë dhe katër ish-drejtues të Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, Olsian Çela, Blerim Tominaj dhe Besim Hajdarmataj.

Por për 10 rebelet e Krimeve të Rënda, urdhri i Prokurores së Përgjithshme është totalisht i pabazuar në ligj. Hetimi disiplinor ndaj prokurorëve do të kryhet nga Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila gjithashtu është aktualisht pa drejtues.

Sokol Stojani tha se kishte dhënë dorëheqjen që në 19 Shtator, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme njoftoi lirimin e tij. Në reagim e saj për situatën e krijuar tek Krimet e Rënda, Arta Marku sqaroi se çdo prokuror do përballet me hetimin disiplinor, por edhe penal, nëse veprimet tyre janë vepër penale.

Tv Klan