Policia shpall në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët e tij

Ky është Aldo Gjini, autori i plagosjes së dyfishtë të Altin Gjokës dhe Jetmir Marashit mbrëmjen e së shtunës në Tiranë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Todi Shkurti” në afërsi të Qytetit Studenti, dhe shkak për konfliktin mësohet se është bërë përplasja e makinave të tyre.

Pasi kanë debatuar verbalisht për përgjegjësinë e aksidentit, dy të plagosurit që udhëtonin së bashku ne të njëjtin automjet dhe Aldo Gjini janë futur në lokalin aty pranë për të kërkuar pamjet e kamerave të sigurisë. Por në këtë moment ata kanë nisur një debat të fortë dhe 31-vjecari Aldo Gjini ka nxjerrë armën dhe ka plagosur Altin Gjokën dhe Jetmir Marashin, përkatësisht 32 dhe 28 vjeç.

Te dy janë dërguar me makina të rastit në spitalin e Traumës dhe iu nënshtruan ndërhyrjes kirurgjikale dhe tashmë gjenden jashtë rrezikut për jetën. Autori i plagosjes mësohet se është larguar më pas me shpejtësi me makinë, dhe madje ka goditur edhe makina të tjera të parkuara në rrugë.

Ndërkohë policia bën të ditur se bashkë me autorin e plagosjes ka shpallur në kërkime dhe Njazi Kullën, 25 vjeç dhe Besard Pashkajn, 22 vjeç, të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij. Aldo Jamandi Gjini është një emër i njohur për drejtësinë, pasi rezulton me precedent penal dhe ka qenë në kërkim në Shqipëri dhe nga autoritetet e huaja.

Ai se bashku me te vëllain janë arrestuar ne 2016 ne shtetin Italian për trafik droge, ndërsa në faqen e Europol rezulton në kërkim për tentativë vrasjeje, trafik armesh, municionesh dhe eksploziv. Ai dyshohet gjithashtu edhe si autor i një plagosje të ndodhur më 24 Nëntor të viti 2020 në Luksemburg. Por policia bën të ditur se atij i kanë skaduar afatet dhe është hequr nga lista e kërkimit.

Tv Klan