Mediu: Duhet organizim i qenësishëm opozitar

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu e konsideron domosdoshmëri bashkëpunimin e qenësishëm opozitar për të bërë të mundur largimin e socialistëve nga pushteti. Gjatë një takimi me strukturat partiake të Tiranës, kryerepublikani theksoi se përballë përpjekjeve të Edi Ramës për të përçarë opozitën, kërkohet një organizim i të gjitha subjekteve politike që janë kundër qeverisjes aktuale, pavarësisht krahut politik se nga vijnë.

 “Mënyra për t`a larguar këtë regjim, është vlerësimi i çdo individi në opozitë, çdo qytetari, në mënyrë të padiskutueshme vlerësimi i çdo subjekti politik të opozitës, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i të gjitha forcave politike të opozitës është domosdoshmëri, partive tradicionale, partive të reja, partive opozitare, majtas dhe djathtas, bashkëpunimi me qytetarët, për të ndërtuar frymën e besimit dhe të ndryshimit në Shqipëri. Është e domosdoshme që ta bëjmë!”

Ai theksoi se krahas krijimit të një koalicioni bashkëpunimi, është e nevojshme edhe krijimi i një kontrate sociale sesi opozita do të qeverisë nesër. Mediu theksoi se e rëndësishme në procesin e ardhshëm zgjedhor mbetet edhe sigurimi i një pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në votime.

Tv Klan