Presidenti Ilir Meta ka dekoruar aktorin e njohur Petrit Malaj me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Për talentin e spikatur dhe profesionalizmin në realizimin e shumë roleve artistike si në ekranin e kinemasë, ashtu dhe në skenën e teatrit; për kontributin e dhënë në organizimin dhe drejtimin e strukturave akademike të artit skenik”.

Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë e veçantë të nderimit të një personaliteti të artit skenik e filmit shqiptar, dhe një pedagog me 35 vite eksperiencë pedagogjike në Universitetin e Arteve.

“Kontributi i tij është real dhe i prekshëm, si në krijimtarinë e tij aktoriale ashtu edhe në fushën pedagogjike. Me krijimtarinë e tij, Petrit Malaj është një personalitet i njohur për publikun shqiptar, ku me personazhet e interpretuara prej tij ka fituar simpatinë e të gjithëve.

Ai ka interpretuar në mbi 20 filma artistik, në shumë pjesë teatrale dhe përherë ka transmetuar plot talent te publiku jetën e personazheve të tij. Zoti Petrit Malaj i përket një brezi të artë të artistëve shqiptarë. Nuk mund të lë pa veçuar rolet e tij në filmat si , “Besa e Kuqe”, “Nëntori i Dytë”,  “Militanti”, “Balada e Kurbinit”, “Kolonel Bunker”,  e në veçanti në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, që është aq i dashur për publikun shqiptar edhe sot. Së fundmi ai është rikthyer me shumë sukses në teatër në shfaqjen “Vizita e Inspektorit” me regji të regjisorit Altin Basha”, u shpreh Presidenti Ilir Meta. /tvklan.al