Artan Imami i kthehet rolit të 24 viteve më parë

I duartrokitur 24 vite më parë si “Don Zhuani” i Molierit, Artan Imami vjen sërish para publikut shqiptar me të njëjtin rol.

Protagonist, regjisor dhe skenograf i një prej veprave më të suksesshme tragji-komike, për aktorin e njohur rikthimi i kësaj shfaqje në skenë është tashmë një sfidë profesionale.

“Pas 24 vitesh, pasi ka ngelur një shije e mirë në mendjen e publikut, që e ka parë shfaqjen, për mua është një sfidë që të ngelen po aq të kënaqur. I ka bazat për të pasur sukses sepse vepra është shumë e mirë”.

Në kërkim të aventurave, “Don Zhuani” lë pas histori, që duket se nuk krijojnë tek ai aspak pendesë. Ndonëse Dona Elvirën e bind të lerë edhe manastirin, forca e zakonit nuk e bën të fortë t’i rezistojë tundimeve.

E gjithë kjo duke i dhënë publikut një ndërthurje emocionesh, sa komike aq edhe dramatike.

“Do ngelen të kënaqur edhe ata që vijnë për të parë një komendi dhe ata që ju pëlqen drama sepse ka momente që do ju mbushen sytë me lot”.

Nën interpretimin gjithashtu të Luiza Xhuvanit, Xhejni Famës, Dajana Nenaj, Alesia Xhemalaj, Genti Deçka, Donald Shehu dhe Xhuliano Briskut, “Don Zhuani” vjen nga data 6 Mars për 10 shfaqje rresht, në sallën e ArTurbinës ora 19.30.

Tv Klan