Edy Reja është zyrtarisht trajner i Kombëtares. Sëbashku me Presidentin e Federatës Armand Duka firmosi pasditen se së mërkurës marrëveshjen që fillimisht do ta mbajë të lidhur deri në fund të kualifikueseve të Europianit. Italiani nuk dha objektiva dhe pse theksoi se kombëtarja i ka shanset për të qenë sërish në finalet e një turneu madhor.

“Kontrata ime është deri në Nëntor, pastaj do të shikoj si shkojnë punët. Kisha mundësi të punoja në Itali, por doja një kombëtare. Unë nuk premtoj gjë, do të punoj të gjej lojtarë të motivuar. Unë mendoj që Shqipëria e ka shansin e saj për të qenë në Europian, pasi rezultatet nuk parashikohen edhe kur luan me Francën”,

tha Reja.

73-vjeçari e ka përvojën e parë me një përfaqësuese, pas një karriere të gjatë në të gjitha nivelet e futbollit italian. Një faktor që ka bindur edhe federatën që ta afrojë.

“Një trajner me shumë eksperiencë. Ne kemi futbollistë që mund të japin më shumë dhe këtë duam që të na e japë Reja”, tha Duka.

Edy Reja përveç arritjes së rezultateve, duhet të rikthejë edhe harmoninë në grup. Trajneri dha mendimin e tij edhe për përplasjet që Christian Panucci pati me Thomas Strakoshën dhe Ermir Lenjanin.

“Të ketë një disiplinë që të vijë në kohë në grumbullim, kjo është e sigurt. Unë do ta gjobisja Strakoshën, nëse është i rëndësishëm nuk heq dorë, por duhet ta pranojmë të gjithë edhe ekipi. Sa për rastin e Lenjanit, futbollisti duhet të shikojë kombëtaren që e thërret dhe jo trajnerin, pasi grumbullimet i bën federata. Por është një lojtar që ka shënuar disa gola dhe është një lojtar i vlefshëm. Janë të gjithë lojtarë që duhet t’i shikoj, t’i mbaj në vëzhgim dhe më pas t’i thërras. Dua të hyj në kokën e futbollistëve, te jem në harmoni me ta.”

Edy Reja duhet të mendojë për ndeshjet e radhës, që janë pas më pak se 2 muajsh, atë me Islandën në Rekjavik dhe Moldavisë në shtëpi.

Tv Klan