Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kompensimi i pronave parashikon të arrijë deri në masën 70% të vlerës fizike sipas projektligjit të ri të pronave.

“Sipërfaqet që kanë dalë nga ky studim, lejojnë të kompensohen ose të përmbushin faturën financiare në një masë deri në 70%, në qoftë se nuk do të vazhdohet të jepen sipërfaqe që kanë të bëjnë me tokat e shtetit”.

Komisioni parlamentar i ekonomisë, diskutoi mes debatesh projektligjin e pronave. Komisioni propozoi që gjatë kohës së kompensimit të pronave të ndërpriten kontratat dhe shitja e tokës shtetërore, për të mos kufizuar tokat e lira për shpronësim. Opozita pretendon se projektligji cenon të drejtat e pronarëve.

Ridvan Bode: “Nga njëra anë kërkojmë njohjen dhe kompensimin e pronave, të cilat një pjesë është transformuar dhe nga ana tjetër nuk pranojmë kthimin tek pronarët legjitim të një pjesë të banesave në Tiranë, në qytete të tjera Korçë, Shkodër dhe Durrës, në qytete të mëdha, ku ende vazhdojnë të mbahen dhe të banohen nga njerëz të ish-nomenklaturës”.

Sipas projektligjit, tokat në bregdet nuk pritet të kenë trajtim të veçantë. Projektligji i pronave, i hartuar me konsulencë të OSBE-së, po përgatitet në komisionet parlamentare, në mënyrë përfundimtare për t’u çuar për miratim në parlament brenda kësaj jave./tvklan.al