Pavarësisht mbi 8 mijë forcave policore të shtuara në Paris, protesta e katërt e “Jelekëve të verdhë” kundër çmimit të karburantit, degjeneroi sërish në përleshje masive.

Protestuesit nuk u ndalën nga prania e shtuar e policëve dhe auto-blindave që kishin kthyer në barrikadë kryeqytetin francez.

Policia përdori gaz-lotsjellës thuajse në të gjitha përplasjet me protestuesit. Të paktën 300 persona janë arrestuar, pas përplasjeve me policinë, ndërsa numri i të plagosurve dhe të të asfiksuarve aktualisht është i pallogaritshëm.

Shëtitorja kryesore e Parisit, Champs-Elysee u bllokua nga të gjitha hyrjet, muzetë, qendrat kryesore turistike e tregtare dhe dyqanet janë mbyllur, ndërsa aktivitetet sportive janë anuluar.

Në total, rreth 90 mijë forca policore zbarkuan në të gjithë Francën me urdhër të kryeministrit Edouard Philippe, pas lajmërimit të “Jelekëve të verdhë” se nuk do të ndalin protestat. Qeveria franceze bëri një hap pas duke anuluar rritjen e çmimit të karburantit, por “Jelekët e verdhë” kërkojnë uljen e mëtejshme të tij, që vetëm këtë vit është rritur me 23%. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e presidentit Macron, të cilin e akuzojnë se ua ka bërë kostot e jetesës të papërballueshme.

Tv klan