“Java e dytë e Dhjetorit vendimtare për masat në vijim”

Java e dytë e Dhjetorit do të jetë përcaktuese për masat dhe kufizimet që Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vendosë. Në mbledhjen e radhës, Komiteti i Ekspertëve e ka cilësuar ecurinë e situatës së pandemisë të qëndrueshme.

“Gjendja mbetet relativisht e qëndrueshme dhe do na duhet një javë tjetër për të parë a do të vazhdojë kjo qëndrueshmëri dhe në bazë të vlerave që do të kemi këtë javë do të gjykohet nëse do të ngelemi në nivelin e këtyre masave apo do të ketë nevojë për masa të tjera. Është një javë e rëndësishme në vlerësimin epidemiologjik të situatës”, tha Rakacolli.

Incidenca e të infektuarve edhe gjatë kësaj jave ka qenë e njëjtë me javën e shkuar, me 356 të infektuar për 100 mijë banorë. Prania e virusit është më e lartë në disa qytete.

Prefektura me incidencë më të lartë vijon të jetë Tirana, e ndjekur nga Gjirokastra dhe Lezhë, ndërkohë që grupmosha më e prekur është 55-64 vjeç dhe 65-75 vjeç. Ka një rritje të lehtë të rasteve që kanë nevojë për trajtim në terapinë intensive”, tha Fico.

Duke iu referuar mendimit të ekspertëve, Shqipëria ka një ecuri më të mirë se i gjithë rajoni dhe mesatares europiane, ku incidenca e Covid-19 shkon në 510 të infektuar për 100 mijë banorë.

Tv Klan