Veliaj: Do respektohen procedurat për ndërtimin e Teatrit

Qëndrimin e aktores së njohur Drita Haxhiraj për Teatrin kryeministri Edi Rama e postoi si një tjetër dëshmi që vërteton se shumica e komunitetit të artistëve kërkon shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një Teatrit të Ri Kombëtar Në këtë deklaratë aktorja tregon për vështirësitë e punës në godinën e degraduar prej vitesh.

“Kur ne futeshim poshtë skenës për të kaluar në anën tjetër, atje kishte lagështirë dhe myk. Aty janë sëmurur shumë aktorë. Në vitet 1972-’73, Naim Frashëri, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka diskutonin për të bërë një teatër të ri, sepse të gjithë po sëmureshin nga mushkëritë. Ne jemi me ta, që teatri të bëhet i ri dhe modern, jo për të kaluar radhën apo për të përfituar ndonjë tjetër. Të jetë aty ku është, të ndërtohet bukur edhe t’u vlejë brezave të ardhshëm”.

Në një tjetër reagim Rama publikon një pjesë nga intervista e përkthyesit dhe diplomatit shqiptar të ndjerë Jusuf Vrioni, të dhënë për emisionin “Opinion” në vitin 2000. Sipas Ramës, ai çmonton me thjeshtësi tërë marrëzinë monumentale mbi “vlerat arkitekturore” të ngrehinës së Teatrit Kombëtar.

Për çështjen e Teatrit reagoi sot edhe kryebashkiaku Veliaj teksa inspektoi reabilitimin e një blloku banimi te ish-frigoferi.

“Një gjë është e sigurt: Teatri do të bëhet! Do të respektohen të gjitha procedurat dhe do të kemi një teatër të ri. Në qoftë se kemi sjellë këtë cilësi te Bregu i Lumit, te ish “Frigoriferi”, te blloku “Besa”, nuk mund të themi që do të rrimë me tallash në qendër të Tiranës, ndërkohë që e kemi bërë kryeqytet Bregun e Lumit”.

Veliaj shtoi se kreu i PD, Lulzim Basha, nuk ofron asnjë garanci se do mund të bëjë më shumë se mazhoranca aktuale për komunitetin e artistëve

“Lul Basha ka qenë banor i kësaj lagjeje; jo vetëm që nuk hodhi një pikë asfalt në rrugën para shtëpisë së tij, që ka qenë në zemër të Tiranës, por bregun e Lumit as nuk e dinte ku binte. Ndaj, kur s’ke bërë asgjë, kur s’ke për të fituar asnjëherë dhe kur s’ke për të qeverisur ndonjëherë, e ke kollaj të premtosh për gjëra që s’ke shans t’i bësh kurrë”.

Më herët kryebashkiaku Veliaj postoi në rrjetet sociale një video nga ambientet e brendshme të teatrit për të ilustruar degradimin e godinës.

Tv Klan