“Basha tradhtoi projektin për çmontimin e LSI-së”

Programin ekonomik të demokratëve, Kryeministri e sheh si mishërim të karakterit të Lulzim Bashës. Për të, shqiptarët e kanë të qartë programin e socialistëve, megjithatë shumë shpejt premton prezantimin e një platforme për 10 vitet e ardhshme, që sipas tij, socialistët do të qëndrojnë në pushtet. Thotë se nuk do të bëjë politikë me taksat në këtë garë dhe premton se pas zgjedhjeve do të ketë rishikim të taksës progresive, por në asnjë mënyrë heqje të saj.

Ndjehet i zhgënjyer që Lulzim Basha nuk i shkoi deri në fund bashkëpunimit me të për të çmontuar LSI, por premton se vetë do të punojë për të.

Për filtrat që do të përdoren për përzgjedhjen e kandidatëve, përsërit se do të jenë vetëm ato që parashikon ligji dhe asnjë më shumë. Dhe ndjehet i keqardhur për reagimin e ambasadorëve, në mënyrë të veçantë atij britanik, për çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet në Shqipëri.

Po ashtu i duket e papranueshme që deklaratat e të huajve, qofshin këta dhe zyrtarë të nivele jo të larta në Bruksel apo gjetkë, gjejnë jehonë kaq të madhe në vendin tonë dhe që për të janë të sponsorizuar me informacione të pavërteta brenda Shqipërisë për ta dëmtuar atë. E këtu i rikthehet dhe njëherë deklaratave për BE sa i takon politikës që ndoqi për shpërndarjen e vaksinave.

Ndërsa kalimin e Aeroportit të Rinasit nga administrimi i kinezëve tek një kompani shqiptare e sheh si fitore, pasi do të ul çmimet e biletave në 25 përqind. Kryeministri dhe Ministri i Rindërtimit bën një përmbledhje të ecurisë së programit të rindërtimit, që sipas tyre, veç strehimit cilësor ka gjeneruar dhe punësimin e 27 mijë personave.

Tv Klan