Çako: U dogjën 33.420 ha pyje e kullota

E teksa lufta me flakët vazhdon ende në disa vatra në zona të ndryshme të vendit, kreu i qeverisë Edi Rama kërkon që ajo që ndodhi gjatë kësaj vere me zjarret të mos përsëritet më. Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Bazën Ajrore në Farkë, lidhur me menaxhimin e situatës së zjarreve në vend, kryeministri Edi Rama e cilësoi kriminale zjarrvënien ndërsa tha se duhet ndëshkim i fortë për piromanët.

“Nuk mund të rri pa theksuar aspektin kriminal të këtyre vatrave të zjarrit që në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes së temperaturave dhe barbarisë së atyre që vrasin shpirtin e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë mundimet, përkushtimin e shumë gjeneratave. Ata nuk meritojnë të jetë të lirë, por të kalben prapa hekurave”.

Për këtë ai kërkoi që edhe institucionet e drejtësisë të jenë në lartësinë që kërkon ligji dhe nevoja për të dhënë ndëshkimet e duhura.

“Shpresoj që gjykatat të japin vendimet e duhura dhe gjykatësit të jenë në lartësinë e dhimbjes për vlera natyrore të dëmtuara. Këto nuk janë pasuria e askujt, por e të gjithëve bashkë. Është një vendim që do japin për fëmijët e tyre. Uroj që këta kriminelë barbarë jo vetëm të kalben në burg, por të japin një mesazh për të tjerët kur të vijë vera e ardhshme”.

Por për të patur një menaxhim më të mirë të situatave të tilla, kreu i qeverisë premtoi modernizim të mjeteve dhe rritje të pagave për ata që përballen me emergjenca të tilla.

Ndërsa kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako tha se bilanci i zjarreve të kësaj vere është i rëndë, pasi janë djegur mijëra hektarë pyje e pemëtari.

“389 vatra zjarri shpërthyen në gjithë vendin. Nga vlerësimi janë djegur 33420 ha kullota, shkurre pyje si dhe 14 rrënjë ullinj pemëtari”.

Shqipëria u përball gjatë muajve të verës me një situatë të vështirë si pasojë e zjarreve, ku veç dëmeve material, pati edhe viktima.

Tv Klan