Nisur nga procesi i bllokimit të reformës zgjedhore në komisionin e posaçëm të kuvendit, i sapozgjedhuri nënkryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Spartak Braho paralajmëron për protesta masive qytetare nëse kërcënohet sërish vota e lirë e zgjedhësve.

Spartak Braho: “Ne do të mbështesim dhe do të iniciojmë jo vetëm mosnjohjen e këtyre zgjedhjeve, jo vetëm denoncimin e tyre, por edhe veprime aktive që lidhen këto dhe me tubime, protesta në gjithë vendin.”

Jursitët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë ofruar asistencën e tyre për komisionin e posaçëm parlamentar, por pjesëmarrja në të kushtëzohet nga heqja e të drejtës së vetos së dy partive kryesore në vend. Të njëjtën kërkesë e mbështesin dhe partitë e tjera të majta.

Spartak Braho: “Aktualisht komisioni bipartizan nuk ka specialistë mirfill profesionistë, juristë. Edhe PD-ja edhe PS-ja luajnë me agronomë, me karpentierë, nuk e di, nuk ka asnjë deputet profesionist. Realiteti flet ndryshe në grupin parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim; ka deputetë, juristë me përvojë në fushën legjislative. Jemi në pritje të ofertave direkte, por kjo kondicionohet me faktin që Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duhet të heqin dorë nga pika 4 e vendimit.”

Neritan Ceka:“Forcat e mëdha politike vazhdojnë edhe sillen si kryepleq fshatrash duke dashur të kenë në mes të parlamentit që përfaqëson integritetin edhe sovranitetin e Shqipërisë një ambasador i shkarkuar faktikisht, kështu që ne e konsiderojmë këtë veprim jo vetëm antikushtetues, por edhe një kohë e vdekur.”

Paskal Milo: “Për sa kohë që nenet e ligjit që u miratua ose të vendimit qe u miratua e grumbullojnë të gjithë pushtetin në duart e përfaqësuesve, e dy partive të mëdha, atëhere çdo pjesëmarrje e palëve të treta është e tepërt dhe do të shërbejë vetëm si garniturë.”

Në seancën e së enjtes parashikohet votimi i kërkesës së reformatorit Nard Ndoka për heqjen e së drejtës së vetos së dy partive të mëdha PS-PD në komisionin e posaçëm parlamentar. Ligjvënësit socialistë presin përgjigje nga demokratët për qëndrimin e tyre në votim si dhe për çështjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjve e cila ka shkatuar bllokimin e punës për reformën zgjedhore. Nëse nuk do të bihet dakord mes palëve, atëherë socialistët mund të bashkëpunojnë me aleatët e tyre në komision duke votuar të enjten pro heqjes së pikës 4 të vendimit të kuvendit. /tvklan.al