MSH: Do të ashpërsohen masat preventive

Nga nëntë të prekurit nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut, gjashtë prej tyre janë në gjendje stabile, kurse tek tre të tjerët ka një përkeqësim të lehtë të gjendjes shëndetësore përcjellë me frymëmarrje të vështirësuar, tha Ministri i Shëndetësisë Venko Filipche, duke shtuar se bëhet fjalë për pacientë të moshës mbi 65-vjeçare dhe për të cilët po intensifikohet terapia. 

Ministri Filipche njoftoi se gjatë natës nuk ka patur pacientë të testuar, kurse në mëngjes një pacient që është kthyer nga Gjermania më 7 Mars, është lajmëruar në Klinikën Infektive ku po priten rezultatet. Rezultatet priten edhe për të gjithë të izoluarit dhe pacienten e parë që i ka kaluar periudha 14 ditore e inkubacionit.

“Biseduam me kolegë nga Italia, të cilët na njoftuan se në pjesët veriore të vendit ku edhe filloi epidemia, pas vendosjes së masave më radikale nuk ka të regjistruara raste të reja. Masa të tilla janë vendosur edhe në pjesë tjera të Italisë, që do të thotë se duhet të jemi më radikalë”.

Në këtë kontekst, Komisioni për Sëmundje Ngjitëse ka rekomanduar masa shtesë, që do të shqyrtohen nga qeveria. Bëhet fjalë për ndalimin e tubimeve publike e private pa marrë parasysh numrin e pjesëmarrësve.

“Kafeteritë dhe restorantet të punojnë me orar të shkurtuar të punës, deri ora 18:00 dhe brenda tyre kapaciteti të jetë i përgjysmuar, kurse largësia mes tavolinave të jetë 1.5 deri dy metra. Të anulohen kinematë, shfaqjet e teatrit dhe koncertet.”

Ministri Filipçe iu përgjigj edhe pyetjeve që kishin arritur në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ai ka përgënjeshtruar informacionet se në Dibër po krijohet panik duke shtuar se qyteti funksionon normalisht dhe se një ekip i përforcuar i epidemiologëve dhe infektologëve, sot dhe nesër do të bëjnë analizë më të detajuar në këtë rajon. 

Tv Klan